Një ditë pas ndalimit të djalit të tij Rexhep Rraja, deputeti socialist Rrahman Rraja ka deklaruar se i biri nuk ka ushtruar dhunë ndaj shtetases Xhisiela Maloku. Deputeti e ka dhënë këtë deklarata duke dalë nga ambientet e kryesisë së kuvendit ndonëse nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
“Djali im nuk ka kryer dhunë”.
Nuk ka pranuar të flasë më gjatë deputeti Rrahman Rraja për djalin e tij që qëndron në ambientet e paraburgimit që prej ditës së dielë, i dyshuar se ka përndjekur shtetasen Xhisiela Maloku.
Ai doli nga ambientet e kryesisë së Kuvendit pak pas mbarimit të mbledhjes së grupit parlamentar socialist ndonëse nuk ishte i pranishëm në atë mbledhje. Në më pak se një orë deputetët socialistë nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim ndaj deputetit Rraja por janë fokusuar tek axhenda parlamentare dhe politike sipas këshillës që u ka dhënë kryetari i grupit Taulant Balla. Opozita ka hallet e veta mësohet tu ketë thënë Balla deputetëve të grupit parlamentar. Ka qenë Taulant Balla drejtuesi i mbledhjes së të hënës pasi kryeministri Edi Rama ka qëndruar vetëm pak minuta dhe është larguar. Më herë kryetari i qeverisë është takuar me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në zyrën e këtij të fundit. /abcnews.al

