Vizita e presidentit të Kosovës Hashim Thaci në liqenin e Ujmanit, është sërish në qendër të vëmendjes së mediave serbe. Këto të fundit raportojnë se KFOR ka qenë në dijeni të kësaj vizite dhe ka marrë masat që cdo gjë të shkojë si duhet.
Mediat serbe raportojnë se KFOR-i ishte në dijeni për vizitën e Thaçit te Liqeni i Ujmanit. Sipas raportimeve të tyre, para mbërritjes së njësisë speciale ROSU në Liqenin e Ujmanit, tre dronë të KFOR-it kanë fluturuar në qiellin e Mitrovicës veriore.
E përditshmja serbe “Novosti”, duke iu referuar burimeve të saj, shkruan se edhe automjete të Kombeve të Bashkuara shoqëruan presidentin e Kosovës në këtë vizitë. Më tej shkruhet se Thaci mbrohej nga truproja me pushkë dhe tyta të gjata, por nën vëzhgim e mbanin edhe dronë të KFOR-it të cilët fluturonin mbi ‘të. Kjo hedh poshtë pretendimet se KFOR-i nuk ishte në dijeni për vizitën e presidentit kosovar në Veri duke shkelur të gjitha marrëveshjet ekzistuese të cilat janë shtylla kurrizore e NATO-s dhe Bashkimit Evropian shkruhet në artikull.
Sipas të përditshmes serbe në zonën më të gjerë të liqenit kanë qenë të vendosur 12 snajperistë dhe më shumë se 100 oficerë të armatosur të policisë. “Janë tregime qesharake ato se KFOR-i nuk e dinte çfarë po ndodhte në Zubin Potok”, përfundon gazeta.
Presidenti Hashim Thaçi të shtunën vizitoi pjesën më të thellë të veriut të Kosovës ndërsa në një konferencë për shtyp ai tha se leje për vizitë në Mitrovicën veriore duhet të kërkojnë vizitorët që vijnë nga Serbia. /abcnews.al