Një përplasje e fortë fizike ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në shtabin e Partisë Socialiste të Durrësit.
Mësohet se në sherr u përfshinë kandidatët e Partisë Socialiste për Durrësin Alban Xhelili dhe Erion Meka. Shkak i konfliktit mes tyre ishte përdorimi i mbështetësve të PS-së për fushatë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi brenda kampit socialist, gjë për të cilën nuk janë kursyer grushtet mes kandidatëve.
Siç duket edhe nga planet e siguruara nga abcnews.al, sherri ka nisur në brendësi të ambientit që përdoret nga Partia Socialiste në zonën e Plazhit në Durrës për të vijuar edhe jashtë me shkelma dhe grushte duke bërë që në zonë të mbërrijnë një numër i madh policësh.
Xhelili mban numrin 2 në listën e PS-së për Durrësin, ndërsa Meka, numrin 15.
Siç mësohet paraprakisht, pas sherrit u shoqëruan në komisariat gjashtë persona, mes tyre edhe shefi i shtabit të PS për zonën e Plazhit, Eri Kapllani.
Por në një reagim për mediat, dega e PS-së në Durrës reaguar duke mohuar lajmin. “Një lajm totalisht i pavërtetë është shpërndarë në media, ku aludohet mbi përfshirjen e dy kandidatëve të Partisë Socialiste Durrës në një konflikt fizik. PS e Durrësit distancohet nga të tilla aludime, dhe sqaron opinionin publik se bëhet fjalë për shpifje të ulët dhe shprehim keqardhje për nivelin ku janë katandisur ato media që hedhin në publik gënjeshtra dhe baltë të gatuara në kazanët e PD.
Në videon që shoqëron këtë fake news duken disa policë duke shoqëruar disa persona, por asnjë prej tyre NUK është kandidat i Partisë Socialiste Qarku Durrës.
Kandidatët tanë dhe gjithë strukturat vijojnë angazhimin e tyre të palëkundur drejt FITORES së 25 prillit.
Përsëritja e qëllimshme e të tillë shpifjeve apo çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, ashtu sikundër e parashikon edhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, PS do t’i përgjigjet vetëm me rrugë ligjore.
Rrugën drejt fitores së mandatit të tretë të PS dhe kryeministrit Edi Rama nuk e zbehin dot balta as shpifjet që tenton të prodhojë opozita, e cila nuk e pranon dot humbjen e radhës përballë socialistëve të bashkuar në mbarë vendin” mbyllet deklarata./abcnews.al