Ajsbergu më i madh në botë është shkrirë. Ai mbulonte një sipërfaqe prej gati gjashtë mijë kilometra katrorë, peshonte gati një miliard ton dhe u shkëput nga Antarktida në 2017. Por tani A68 , ajsbergu më i madh në botë, me madhësinë e një të katërtës së Uellsit , më në fund është shkrirë.
Sipas Qendrës kombëtare për akullin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë ai është copëtuar në mijëra pjesë të vogla të cilat nuk ia vlen më të monitorohen.
Ajsbergu ishte bërë i famshëm kur, pas një viti gjatë të cilit nuk kishte lëvizur fare, nisi të zhvendosej drejt veriut me një shpejtësi në rritje, duke kaluar rryma të ndryshme dhe erëra të forta.
Frika ishte se mos blloku i madh do të shkonte të përplasej me territoret britanike të Georgias së Jugut. Por valët, uji i ngrohtë dhe temperaturat më të larta në Atlantik në fund arritën të shkrijnë ajsbergun e njohur si A68./abcnews.al