Referendumi, reagon Greqia: Nacionalizmi dhe fanatizmi dëmtuan procesin

schedule21:57 - 30 Shtator, 2018

schedule 21:57 - 30 Shtator, 2018

Klima e nacionalizmit, dyshimet, lajmet e rreme dhe fanatizmin ekstrem çuan në rezultatin kontradiktor të referendumit në Maqedoni. Ka qenë ky reagimi i parë i Athinës zyrtare në lidhje me zhvillimet e së dielës në fqinjin e saj verior.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme greke e ka vënë theksin tek dominimi i votës “pro” nga njëra anë dhe pjesëmarrja e ulët nga ana tjetër.

“Nacionalizmi agresiv, fanatizmi ekstrem dhe papërgjegjshmëria politike nuk lejuan zgjidhjen e kontestit, pajtimin mes popujve dhe cënuan përfitimet që buronin nga marrëveshja e Prespës”, thuhet në deklaratë.

Qeveria helene nënvizon se rezultati zhgënjyes vjen në një kohë kur bashkëpunimi i barabartë në rajon, dialogu demokratik, kultura e pajtimit dhe ajo e kompromisit janë më të nevojshme se kurrë.

“Argumentet kundër marrëveshjes së Prespës janë të pavërteta dhe të gabuara. Hapat e ardhshëm për zgjidhjen e problemit kërkojnë kthjelltësi nga të dyja palët, në mënyrë që potenciali pozitiv i që rrjedh nga marrëveshja e Prespës të mos venitet”, thuhet më tej në deklaratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!