Rama: Në 5 vite nxorrëm nga lista e rrezikut të UNESCO, Gjirokastrën dhe Beratin

schedule20:43 - 30 Shtator, 2018

schedule 20:43 - 30 Shtator, 2018

Duke folur nga Gjirokastra, Kryeministri Edia Rama pohoi se harmonia midis trashëgimisë kulturore në qytet, për 1001 arsye që jep zona, mund të japë një instrument për zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë qarkun.

Kryeministri Edi Rama, prezantoi nga Gjirokastra projektet në agroturizëm dhe ndërhyrjen në zonat rurale të qytetit. Sipas shefit të qeverisë ka përfunduar faza e parë e Rilindjes së Pazarit të Gjirokastrës, me rimëkëmbjen e 8 blloqeve të para të shtëpive bashkë me infrastrukturën e rrugicave të tyre.

“Çka kemi bërë nuk mjafton, por nuk ka diskutim se që nga viti 2013 e deri më sot duket sikur ka kaluar një epokë e tërë, pasi Gjirokastra është nxjerrë nga lista e rrezikut të UNESCO dhe është kthyer në qendër të vëmendjes së qeverisë. Gjirokastra ka parë investime të kryera në 5 vite që janë sa për 20 vite të marra sëbashku. Gjirokastra ka hyrë në një fazë të re. Ky projekt është një kartëvizitë e kësaj faze të re. Sot turizmi nuk është një dëshirë, por një shpresë reale në rritjen e turistëve”, tha Edi Rama.

Nga qyteti i gurtë Rama krahasoi numrin e turistëve gjatë pesë viteve të fundit.

“Sot, në Gjirokastër, turizmi nuk është më një dëshirë, por është një shpresë reale e materializuar në rritjen shumë të konsiderueshme të numrit të turistëve dhe në zgjerimin e mundësive të banorëve për të jetuar me turizmin. Mjafton të kemi parasysh një shifër; Në vitin 2013 numëroheshin 6900 vizitorë në Gjirokastër, zyrtarisht. Sot, vetëm në Kalanë e Gjirokastrës numërohen nga janari deri tani në shtator, 85 mijë vizitorë”, u shpreh Rama.

Në fund, kryeminstri theksoi se qeveria e tij do të mbështetet tek boshti Gjirokastër-Tepelenë, i cili që ka një potencial të madh zhvillimi, sidomos në fushën e turizmit./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!