Interi pagoi 40 milion euro te Real Madrid verën e kaluar për kartonin e Achraf Hakimit. Një goditje fantastike në merkato për klubin zikaltër, që siguroi një nga anësorët e djathtë më të mirë në Evropë. 22-vjeçari nga Maroku është një garanci në krah, teksa numëron 6 gola dhe 7 asiste këtë sezon. Së fundmi ka dhënë një rrëfim interesant për La Repubblica, duke e nisur nga trajneri Antonio Conte dhe dueli i kampionatit kundër Napolit (e diel, 20:45).
CONTE – “Trajneri është gjithmonë me ne dhe në anën tonë, pavarësisht se çfarë ndodh. Ai është si një vëlla i madh për ne, për moshën dhe eksperiencën që ka. Ai na lë të lirë, na lejon të argëtohemi dhe një gjë e tillë pasqyrohet në fushë. Ai është pjesë e grupit që ka ndërtuar vetë”.
TITULLI – “Diskutojmë rreth titullit por gjithmonë me respekt, pasi nuk e kemi fituar akoma. Ai është objektivi ynë, nuk dua të fshihem, por mungojnë edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit”.
NAPOLI – “Një ndeshje shumë e rëndësishme. Ata më kanë kërkuar, pasi punova mirë te Dortmundi dhe jam i ri. Por ekipi që më tërhoqi më shumë ishte Interi. Më pëlqeu projekti, ashtu siç më pëlqen logo e re e klubit. Jam i lumtur tek Interi, shpresoj të qëndroj këtu sa më gjatë”.
CHAMPIONS – “Për këtë skuadër do të flitet edhe në Europë, ta keni të sigurt. Nuk luajmë bukur? Një ndeshje nuk është film. Në futboll ka rëndësi të shënosh dhe të mos pësosh, të fitosh dhe të dalësh në krye aty ku garon. U eliminuam nga Champions sepse na mungonin disa detaje, akoma nuk ishim njohur kaq mirë me njëri-tjetrin. Keqardhja për eliminimin mbetet, por jemi të fortë”.
NDRYSHIMI – “Te Real Madrid isha mësuar me mbrojtjen me katër, por me tre qendërmbrojtës kam më shumë liri për të sulmuar. Taktika dhe mbrojtja janë thelbësorë për Conten, ai po më bën një futbollist më të kompletuar”.
“Modeli im është Marcelo. Më pëlqen gjithçka nga ai: personaliteti, imazhi dhe loja që zhvillon. Theo Hernandez? Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe një person shumë i mirë, jemi shumë miq me njëri-tjetrin”.
RONALDO – “Fenomeni është shprehur se do i pëlqente të luante me mua? Pyes veten se çfarë mund të kishim bërë së bashku. Me Ronaldon mund të arrihej gjithçka, do të ishte e bukur të vrapoja në krah dhe t’i dhuroja asiste atij”. /abcnews.al