Referendumi në Maqedoni, sot votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

schedule12:03 - 29 Shtator, 2018

schedule 12:03 - 29 Shtator, 2018

Maqedonia do të votojë të dielën në referendumin për çështjen e emrit, në një moment që konsiderohet historik për vendin pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë. Ndërkohë vëmendja e gjithë botës do të jetë pikërisht tek pjesëmarrja në votim dhe tek rezultati.

E gjithë bota i ka kthyer sytë nga Maqedonia duke pritur në ankth për atë që do të ndodhë pas mbajtjes së referendumit për emrin e ri të shtetit. Pas vizitave të krerëve më të lartë shtetërorë europianë dhe amerikanë tashmë gjithçka është në dorë të votuesve maqedonas të cilët janë ndarë në dy grupe të mëdha. Forcat politike qeverisëse ku përfshihen edhe partitë shqiptare të cilat inkurajohen nga perëndimi dhe ultranacionalitët të cilët mbështeten dhe ka të dhëna edhe se po financohen fort nga Rusia. Lufta përgjithësisht është përqendruar në propagandën që bëjnë të dy krahët. Ata që kërkojnë “po-në” në referendumin e së dielës kanë hedhur akuza se kundërshtarët e linjës euroantlantike për këtë vend, kanë bombarduar opinionin me fake neës nëpërmjet portale të ngritura enkas për këtë fushatë dhe të financuar nga qarqe ruse.

E gjithë vëmendja botërore për këtë referendum është përkthyer në rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj, të cilët janë akredituar për ta ndjekur procesin. Maqedonia ka një elektorat prej 1.8 milionë votuesish; një shifër kjo që ka qenë e dabatueshme prej vitesh, pasi vendi ka pak mbi dy milionë banorë. Censusi i fundit është bërë në vitin 2002; ai i vitit 2011 dështoi për shkak të ndërhyrjes së politikës, lidhur me të cilin po zhvillohet një proces gjyqësor.

Partitë në pushtet kanë mbajtur takime me qytetarë por jo mitingje të mëdha dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çka duhet të vendosin votuesit në referendum.
Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët, e njëri krah i Lëvizjes “Besa” janë hedhur në fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro pyetjes së shtruar aty.

Megjithatë opozita shqiptare, e vogël në numër, me vetëm 4 deputetë në parlament nga 120 vende gjithsej, kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.  Nga ana tjetër, kundërshtarët e referendumit kanë dërguar mesazhe për injorimin apo bojkotin e tij sepse preken, sipas tyre, interesat kombëtare dhe vetë identiteti dhe gjuha maqedonase.
Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, ndonëse nuk ka bërë thirrje direkte zyrtare për bojkotin e referendumit, siç duket për shkak të mosmarrëveshjeve brenda strukturave drejtuese, i ka bërë me dije qoftë përmes medias apo rrjeteve sociale përkrahësve të saj se nuk duhet dalë në referendum për shkak të arsyeve të lartpërmendura.

Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, i cili e ka kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për emrin, bëri thirrje të hapur nga podium i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku mbajti një fjalim, për bojkotin e referendumit.
Sipas tij, Greqia do të ketë një pozitë superiore dhe mbikqyrëse ndaj ndryshimeve që duhet të pasojnë në Repubikën e Maqedonisë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar pret një rezultat të suksesshëm në referendum. Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë qëndruan në javët e fundit në Shkup për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Në referendum duhet të dalë më tepër se gjysma e elektoratit që i bie pak mbi 900 mijë dhe një votë më tepër se gjysma e tyre të deklarohen pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, që referendumi të shpallet i suksesshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!