Ish-kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e demokratëve Lulzim Basha se po mbajnë peng Shqipërinë dhe po detyrojnë shqiptarët të largohen. Në këndvështrimin e ish-numrit dy të Partisë Demokratike, oligarkë të këtij vendi nuk janë biznesmenët, por Kryeministri dhe kreu i opozitës.
“Sot shqipëria është peng i dy oligarkëve. Oligarkë nuk janë biznesmenët. Shqipëria sot ka dy oligarkë, njëri i madh dhe tjetri në hije pritës. Kryeoligarku është kryeministri dhe oligarku i vogël është lideri i opozitës. Kryeministri merr pjesën e luanit, Basha merr pjesën e çakallit. Nuk zgjidhet kjo me masa drastike si tatim i jashtëzakonshëm për bizneset”– shprehet Patozi.
Duke e konsideruar Bashën si njeriun e gabuar në kohën e gabuar dhe vendin e gabuar, ai tha se në çdo vend ku punët nuk shkojnë mirë kthejnë kokën nga opozita, por në Shqipëri shumë njerëz të pakënaqur me qeverinë nëse kthejnë kokën nga opozita tmerrohen dhe ikin jashtë Shqipërisë.
“Opozita duhet ta bëjë shkundjen, opozita ka një problem sot që është njeriu i gabuar në kohën e gabuar dhe vendin e gabuar dhe këtë ia dedikoj Bashës, që është problem jo vetëm për PD, por edhe për shoqërinë shqiptare. Sepse në çdo vend ku punët nuk shkojnë mirë kthejnë kokën nga opozita, si shpresë, kurse në Shqipëri shumë njerëz të pakënaqur me qeverinë nëse kthejnë kokën tmerrohen dhe ikin jashtë Shqipërisë në Holandë, Gjermani”.
Ndërsa krahason kohën kur ai ishte në PD, apo edhe në qeveri, Patozi vëren se puna e partive politike është më keq se 5 apo 10 vite më parë, dhe këtu i krahason me zogjtë e korbit që sa vijnë dhe nxihen.
“Në kohën time jo gjithçka shkonte ok, por ka pasur nje përpjekje për ta ndryshuar, për të pasur përfaqësim politik për të dëgjuar edhe zëra të tjerë. Puna e partive është si zogjtë e korbit që sa vijnë e nxihen. Tani jemi në fazën kur zogjtë janë sterrë dhe korbi është rritur, ajo që duhet të bëjmë ne është ta kthejmë nga e para, duhet që ta ndryshojmë këtë gjë në rast se do jemi të përgjegjshëm. Para 10 vjetësh nuk ka qenë kjo problematikë me partitë, edhe para 5 vjetësh ka qenë më mirë se tani”.
Por Patozi propozon dy zgjidhje për reformimin e partive, ndërsa thekson se ishin ndryshimet kushtetuese të 2008-ës që na çuan në këtë gjendje, duke e mbushur kuvendin me banditë dhe biznesmenë.
“Unë shoh dy zgjidhje ose të reformohen partitë, që sistemi politik të reformojë vetveten, ose me goditje nga jashtë me gjysëm revoluvcion apo të plotë. Unë nuk jam te e dyta, por nuk e përjashtoj, sepse nëse konflikti social arrin në pikë kritike nuk mund ta përjashtosh. Ndryshimet kushtetuese të 2008 na çuan në këtë gjendje, kam ngritur kartonin atëherë, sepse pres të kërkojnë falje përgjegjësit kryesorë.Nga partia ime nuk kam dëgjuar asnjë zë. Dhe i penalizuari i madh është PD, është e djathta.
E majta ka treguar se këto punët e korrupsionit, blerjes së votës, lidhjet me krimin i ka më të sofistikuara, është më e aftë. Ne kalcifikojmë një sistem ku kundërshtari është i privilegjuar”.
Nano: Edhe shembulli që dhe për ndryshimet në kushtetutë, partitë janë të vdekura.
Patozi: Ne nuk duhet ta pranojmë këtë vdekje. Kjo është një gjë që e ka bërë njeriu dhe e ndreq njeriu nuk është tërmet, ndryshimet kushtetuese ne i bëmë me koshiencë, ne mendonim që do kishim mundësi të zgjidhnim njerëz me aftësi dhe jo biznesmenë dhe banditë, u mbush kuvendi me banditë vrasës.
Dhe këtu zgjidhjen Patozi e pret nga opozita, por është i pashpresë nga Basha, pasi sipas tij kreu demokrat e ka privatizuar dhe marrë peng partinë.
“Ne duhet ta trondismin, por nuk e bëjmë se Basha pret radhën, po nuk do i vijë kurrë, se fitoret vijnë me beteja, por Basha nuk bën betejë, bën sikur. E them me keqardhje. Nuk kam konflikt interesi me të, pse sepse nuk pretendoj të jem asgjë në partinë e tij, e konsideroj parti të privatizuar, s’ka asnjë lidhje me pd që unë kam njohur dhe kam qenë ish-drejtues i saj. Unë e kam mbyllur historinë time me një parti që e konsideroj të marrë peng, si ato fabrikat e uzinat e kohës së diktaturës që u privatizuan u bënë prona private dhe PD këtë fat ka pësuar”./abcnews.al