Në një deklaratë për shtyp një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës në vend kundër tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë apel të gjitha forcave politike që t’i bashkohen idesë së tij për korrigjimin e kufijve. Kjo pasi në të kundërt lioberalizimi i vizave për vendin do të shtyhet deri në vitin 2020.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e tij të radhës për mediat vuri theksin tek liberalizimi i vizave për vendin. Ai i bëri apel opozitës që të mbështesë idenë e tij për korrigjimin e kufijve pasi në të kundërt liberalizimi do të shtyhej deri në vitin 2020.
“Secili lider, deputet, bartës i institucioneve apo edhe opozitare kanë meritat e tyre në këtë rrugë . Thërras të gjithë politikanët dhe partive politike që të kemi një qëndrim të disiplinuar dhe që me një zë të flasim që të arrijmë liberalizimin e vizave për një kohë shumë të shkurtë brenda disa muajve”, ka thënë presidenti Thaçi.
Një ditë para protestës së opozitës pikërish kundër kësaj ideje, Thaçi këmbënguli para gazetarëve se gjatë qëndrimit në Nju Jork i është dhënë mesazh i qartë rreth këtij procesi.
“Kemi marrë mesazh të qartë se nëse ne si institucione të Kosovës nuk do të jemi të bashkuar për këtë temë për liberalizimin e vizave dhe të argumentojmë qartë plotësimin e kritereve, atëherë rrezikohet që i gjithë procesi të shtyhet deri më 2020-n. Ftoj të gjithë të ngritemi mbi çdo interes individual, partiak dhe të bashkëpunojmë rreth kësaj çështje, të mos ketë dallime në takimet e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, të gjithë duhet të jemi të unifikuar rreth liberalizimit të vizave”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi foli dhe për dialogun me Serbinë, ku theksoi se kishte përsëritur dhe në Nju Jork ku u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, idenë e tij për bashkangjitjen e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës me Kosovën.
“Për takimin e shkurtër me presidentin Trump, mund të them se presidenti Trump e njeh Kosovën, e ndjen dhe e mbështet progresin e Kosovës. SHBA i kanë dhënë mbështetje të plotë një marrëveshje të qëndrueshme, që nënkupton njohje reciproke dhe demarkimin e plotë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se dialogu do të vazhdojë vetëm si mes dy vende të pavarura, edhe u ka bërë sërish apel partive opozitare që të bëhen pjesë e dialogut.
“Do ishte me rëndësi që të përfshihen të gjitha palët. Beteja me Serbinë zhvillohet sot në tavolinë e jo nga studiot televizive. Askush nuk është i përjashtuar, secili duhet të marrë guximin dhe ti shpreh mendimet e tyre. Është koha që të jemi unik përball Serbisë”, theksoi Thaçi.
Kreu i shtetit të Kosovës premtoi se nuk do të lejojë asnjëherë ndarjen e Kosovës, përkundrazi ai u shpreh se mbron dhe do të mbrojë të drejtën e ligjshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës./abcnews.al

