Vrau fqinjin pas sherrit për tubin e uji, vetëdorëzohet në polici autori i dytë Altin Mera

schedule12:19 - 14 Prill, 2021

schedule 12:19 - 14 Prill, 2021

Vetëdorëzohet bashkëautori i vrasjes që tronditi Dibrën ditën e djeshme, ku mbeti i vrarë shtetasi Xh. K., 50 vjeç.

Policia bën me dije se Altin Mera në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar nga fshati, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.

Ndërkohë një ditë më parë është arrestuar vëllai i tij Mehmet Mera.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, në Luzni ku pas një konflikti për një kanal që ndante pronat e tyre, një prej vëllezërve ka qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.

LEXO EDHE: FOTO/ Ky është 50-vjeçari që u vra pas sherrit për një kanal në Dibër, në kërkim një nga autorët

Njoftimi i plotë:

Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH. K.

Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.

Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.

Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.e.su./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!