Interi po dominon dhe kryeson Serie A. 11 fitore në po kaq ndeshje të fazës së dytë dhe 11 pikë mbi Milanin ndjekës. Zikaltrit po fluturojnë nën drejtimin e Antonio Contes dhe titulli kampion është shumë afër.
Agjenti i Achraf Hakimit (6 gola dhe 7 asiste këtë sezon), një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës italiane, ka folur në Radio Kiss Kiss rreth momentit fantastik të Interit.
Alejandro Camano jep një krahasim edhe rreth Champions League. Zikaltrit u eliminuan në fazën e grupeve, por nëse do të ishin akoma në lojë do të ishin pretendent serioz për triumfin e madh.
“Rruga për titullin është e shtruar, diferenca e pikëve me rivalët na lejon që të mendojmë më të mirën për Interin. Conte ka shumë merita, ekipit i është rikthyer edhe loja.
Nëse do të luante sot në Champions League, Interi mund të shkonte deri në fund duke llogaritur kualitetin, forcën dhe mekanizmat që ka“, deklaroi agjenti i anësorit maroken. /abcnews.al