Pandemia i bëri të pasurit më të pasur, 930 mijë individë me llogari bosh në banka

schedule07:23 - 14 Prill, 2021

schedule 07:23 - 14 Prill, 2021

Pandemia nxiti sjelljen kursimtare të individëve gjatë 2020-s.

Depozitat u rritën me ritmet më të shpejta të viteve të fundit, por shifrat zyrtare tregojnë se rritjen më të lartë e kanë shënuar depozituesit e mëdhenj, ndërsa numri i kursimtarëve të vegjël është ulur lehtë.

Të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) të publikuara në raportin vjetor 2020, tregojnë se në total vlera e depozitave të sigurueshme në banka arriti në 1.22 trilionë lekë, me një rritje prej 7.4%, në krahasim me vitin e mëparshëm. Nga këto 84%, janë depozitat e sigurueshme të individëve.

Në total janë 2.6 milionë depozitues individë, që zotërojnë 1.03 trilionë lekë kursime në banka, por pjesa më e madhe e tyre kanë kursime minimale, apo dhe thjesht një llogari të hapur në bankë, por pa para.

Sipas të shënave të ASD-së, 2.5 milionë individë ose 96.1% e totalit kanë depozita me vlerë më të ulët sesa 2.5 milionë lekë (sa është dhe kufiri maksimal i sigurimit të depozitave). Numri i kursimtarëve të vegjël ra lehtë me 0.3%.

ASD sqaron se numri total i depozituesve është përcaktuar duke mbledhur të dhënat e agreguara të raportuara nga çdo bankë, kështu që një depozituesi cili ka depozita në disa banka është regjistruar disa herë. Në këtë numër ka depozitues me balancë zero deri në 100 lekë (minimumi ligjor për kompensim), të cilët në dhjetor 2020 janë 920,736. Pra, rreth 37% e depozituesve që kanë depozita nën 2.5 milionë lekë kanë llogari bosh.

Në total, 2.5 milionë kursimtarët zotërojnë 444 miliardë depozita, ose 43.2% të totalit të kursimeve në banka. Depozitat e kësaj kategorie u rritën me 4.6% në 2020-n.

Në të kundërt, janë 101 mijë individë, ose 3.9% e totali të individëve, që zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka. Në total kursimet e tyre ishin 585 miliardë lekë, ose 56.8% e totalit, nga 56.5%, që ishte pesha e depozituesve në vitin përpara pandemisë. Depozitat e kësaj kategorie u rritën me 34 mld lekë, ose 6.2%, me ritme më të larta sesa kursimet e 2.5 milionë individëve (që u shtuan në total me 20 mld lekë).

ASD thekson në raport se pavarësisht situatës së jashtëzakonshme të pandemisë, parametrat e funksionimit të sistemit bankar dhe financiar mbetën të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm përgjatë vitit në raportim. Kjo qëndrueshmëri dëshmohet nga ecuria pozitive e depozitave në sistemin bankar dhe atë të shkk-ve. Depozitat gjatë vitit 2020 njohën një rritje përkatësisht prej 7,8% në sistemin bankar dhe pothuajse 6% në shoqëritë e kursim kreditit.

95.3% e depozitave janë të siguruara

Sipas ASD-së, vlera e depozitave të sigurueshme në banka që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,226 miliard lekë, çka përfaqëson 95.3% të totalit të depozitave. Depozitat e sigurueshme të individëve zënë peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme, konkretisht rreth84 % të tyre, ndërkohë që 16 % janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare. Depozitat e sigurueshme në lekë, në fund të dhjetorit 2020, zënë 49.4% të totalit të depozitave të sigurueshme, ndjekur nga depozitat në euro me 43.8%, dhe depozitat në USD 4.9%, duke ruajtur raporte të përafërta me një vit më parë.

Depozitat e sigurueshme përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.

Gjatë vitit 2020, ecuria e depozitave të sigurueshme të individëve sipas nivelit të mbulimit ka qenë në të dyja kahet, pozitive dhe negative. Krahasuar me fundin e vitit 2019, depozitat me shuma deri në 2.5 mln lekë janë rritur me 4.5%, ndërsa depozitat me shuma mbi nivelin e mbulimit janë rritur me 34 mld lekë ose 6.2%./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!