Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 18-të në grupin B të Kategorisë së Dytë. Maliqi nuk u përmbajt aspak përballë Skraparit të vendit të fundit, ekip të cilin e mposhti 7-1. Ekipi juglindor realizoi gjashtë gola brenda 29 minutave në pjesën e parë.
Maliqi shfrytëzoi humbjen e Butrintit dhe është ngjitur në vend të parë, me një pikë më shumë dhe një ndeshje më pak se skuadra nga Saranda. Butrinti humbi 2-1 jashtë fushe me Devollin, që siguroi tre pikët falë golave të Peres dhe Ivanit. Për miqtë barazoi përkohësisht Pereira.
Këlcyra mposhti 1-0 në shtëpi Memaliajn. Golin e fitores e shënoi Xhakollari pas gjysmë ore lojë. I njëjti rezultat edhe në sfidën Përmeti-Albpetrol. Vendasit morën tre pikët falë golit të Vrapit në pjesën e dytë.
Ndeshja tjetër, Tepelena-Naftëtari përfundoi në barazim 1-1. Ndërkohë, sot u luajt edhe një përballje në grupin A. Klosi fitoi 2-0 në shtëpi kundër Internacional Tirana falë golave të Allamanit dhe Salajt në pjesën e parë. /abcnews.al