Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste se po shfrytëzon të dhënat e portalit shtetëror e-Albania për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve. PD e cilëson skandal dhe shkelje të privatësisë, ndërsa paralajmëron se do ta ndjekë në rrugë ligjore. Kandidati për deputet, Enkelejd Alibeaj shprehet se me Ramën, shqiptarët janë të pasigurt dhe të pambrojtur.
“Përdorimi i të dhënave personale të portalit e-Albania nga Edi Rama dhe PS është shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve. Në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania.
Portali Lapsi.al ka arritur ta sigurojë këtë databazë ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç. Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit.
Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK. Ky skandal i paprecendentë cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari, që për të marrë shërbime nga shteti përdor portalin e-Albania. Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje.
Shqiptarët kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur dhe sigurisht Rama nuk mund ta bëjë këtë. Për 8 vite ai e shkatërroi vendin dhe javët e fundit, për hir të interesit të tij, nuk kursen as të vjedhë dhe përdorë të dhënat personale të qytetarëve. Në 25 prill, kjo do të ndryshojë, shqiptarët do të kenë një qeverisje që kujdeset për ta” mbyllet deklarata.
Ndërkohë që pas akuzave ka reaguar “e-Albania” duke i cilësuar sulmet të pabaza. “Suksesi i e-Albania me digjitalizimin e shërbimeve publike njihet dhe vlerësohet nga e gjithë bota përmes institucioneve ndërkombëtare si OKB, OECD, BE dhe DASH.
Sulmet e Partisë Demokratike ndaj platformës e-Albania, e cila siguron shërbimet publike online për qytetarët janë të pabaza. Ne e kuptojmë se PD është në fushatë por kjo nuk justifikon sulmin politik ndaj një institucioni që është kryekëput në shërbim të qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale.
E-albania në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetareve. Kjo është e treguar qartë edhe në ndërfaqen e portalit. Të dhënat mbahen dhe administrohen nga bazat e të dhenave respektive në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore të institucioneve administruese të tyre sipas aktit të krijimit.
E-albania është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.
E-albania shmang ngritjen paralele të faqeve të çdo institucioni me qëllim ofrimin e shpërndarë të shërbimeve elektronike duke e bërë më të thjeshtë për qytetarin dhe biznesin duke lehtësuar kërkesën per shërbim dhe marrjen e shërbimit.
AKSH mirëpret në cdo kohë qoftë përfaqësues të partisë që sulmon pa asnjë bazë institucionin dhe qoftë përfaqësues të portaleve që e mbështesin këtë sulm, për të ballafaquar pretendimet e tyre” mbyllet reagimi./ db/Abcnews.al