Përveç Rusisë, që është akuzuar zyrtarisht nga autoritetet amerikane për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, Shtetet e Bashkuara kanë një armik të ri që po përpiqet të imitojë Kremlinin. Nga selia e OKB-së, presidenti Trump ka akuzuar Kinën se ka vënë në shënjestër zgjedhjet afatmesme të nëntorit.
Kina po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin. Ka qenë kjo akuza që presidenti Donald Trump ka ngritur të mërkurën ndaj gjigantit aziatik në një takim me liderë të ndryshëm botërorë në selinë e OKB-së.
“Ata nuk duan që unë apo të gjithë ne të fitojmë, pasi unë jam presidenti i parë që ka sfiduar Kinën në fushën e tregtisë”, ka deklaruar Trump.
Presidenti amerikan ka theksuar se ai po e fiton betejën me Pekinin në çdo nivel, por nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e tij. Akuza e Trump vjen një ditë pasi agjentët federalë amerikanë arrestuan një shtetas kinez me banim në Çikago nën akuzën e spiunazhit. Sipas mediave amerikane, 27-vjeçari po përpiqej të rekrutonte inxhinierë të angazhuar në industrinë e mbrojtjes dhe shkencëtarë për llogari të shërbimeve sekrete të Pekinit.
Autoritetet federale kanë deklaruar se shtetasi kinez akuzohet se ka vepruar në territorin amerikan si agjent i një qeverie të huaj. Prokurorët shprehen të bindur se 27-vjeçari po mblidhte informacione mbi 8 persona që mund të ktheheshin në informatorët e tij. Zgjedhjet afatmesme për Kongresin në Shtetet e Bashkuara mbahen më 6 nëntor. “Dhe ne nuk duam që ata të përzihen në këtë proces”, ka thënë më tej Trump nga Pallati i Qelqtë në Nju Jork. /abcnews.al