58 emigrantët e rastit Aquarius shpërndahen në 4 shtete

schedule23:13 - 26 Shtator, 2018

schedule 23:13 - 26 Shtator, 2018

Italia i është përgjigjur presidentit të Francës për rastin e fundit me emigrantët duke thënë se nuk pranon leksione për humanizëm. Ndërkohë, ka marrë fund tmerri për 58 emigrantët, të cilët lundronin në Mesdhe që prej të premtes. Ata do të shpërndahen në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Portugali.

Matteo Salvini përsëri ka sulmuar presidentin francez Emmanuel Macron. “Nuk pranojmë leksione të së drejtës dhe humaniteti nga Macron. Në muajt e fundit ka blinduar kufijt me Italinë dhe ka kthyer më shumë se 50 mijë emigrant, veçanërisht gra dhe fëmijë”, u shpreh ministri i brendshëm Italian. Salvini replikon kështu ndaj fjalëve të presidentit francez, i cili të martën u shpreh: “Ka një krizë politike mes Italisë dhe pjesës tjetër të Evropës”. Italia ka zgjedhur që të mos ndjekë ligjet ndërkombëtare dhe veçanërisht atë humanitar të detit, sipas të cilit kur një anijë është në një situatë humanitare duhet të shkojë në portin më të afërt”.

Ndërkohë, anija “Aquarius” ka marrë autorizimin për të zbarkuar në ujra ndërkombëtare, në mënyrë që të shmanget pengesa që lidhet me flamurin e Panamasë, që valvitet në mjetin lundrues. 58 emigrantët që gjendeshin në bord janë transferuar për në Maltë dhe do të shpërndahen mes 4 vendeve evropiane: në Francë shkojnë 18, Spanjë dhe Gjermani 15 si dhe në Portugali 10 emigrantë. Zbarkimi I tyre në ujrat ndërkombëtarë të Mesdheut u bë i domosdoshëm duke parë përkeqësimin e kushteve të motit dhe dallgët që arrinin deri në 5 metra. Emigrantët ishin shpëtuar të premten dhe të shtunën në afërsi të brigjeve të Libisë. Ata vinin nga vende si Siria, Libia dhe Palestina.

Fillimisht Franca kundërshtoi zbarkimin e tyre me pretendimin se anija nuk kishte flamur evropian dhe kërkoi që mjeti lundrues të ankorohej në Maltë. “Aquarius” duhej të ankoronte në Itali, por politikat e ministrit Salvini kanë bllokuar çdo port të mundshëm për emigrantët. Ndërkohë, përveç këtij problemi, emigrantëve u shtohet edhe një tjetër. Një anije e marinës ushtarake të Marokut ka qëlluar kundër një barke në afërsi të brigjeve të saj. Nga kjo ngjarje 4 emigrantë mbetën të plagosur, ndërsa dyshohet se është vrarë dhe një femër gjatë operacionit për të kundërshtuar zbarkimin në tokë./abcnews.al