Ministri belg i Drejtësisë ka deklaruar se gabimet proceduriale në Belgjikë shkaktuan vonesat në arrestimin e të shumëkërkuarit Safet Bajri dhe grupit të tij. Në një intervistë për mediat holandeze, Koen Gens ka komentuar edhe situatën në Shqipëri, ku sipas tij po zhvillohet një betejë e ashpër politike për korrupsionin.
Ministri belg i Drejtësisë, Koen Gens ka reaguar të martën në lidhje me rastin e Safet Bajrit, duke deklaruar se gabimet proceduriale vonuan arrestimin e tij dhe grupit kriminal që vepronte në Belgjikë e Holandë.
“Në Belgjikë duhet të kishim aplikuar dënimin gjyqësor dhe procedurat e transferimit. Sidoqoftë, ky mund të quhet një gabim njerëzor”, ka thënë Gens.
Sipas mediave holandeze, ministri ka lënë të kuptohet se do të kishte parapëlqyer që dosja e Safet Bajrit të ishte transferuar më herët në Shqipëri.
“I gjithë grupi kriminal u godit falë një aksioni të mirëkoordinuar mes policisë belge dhe asaj shqiptare”, ka vijuar më tej Gens.
Gjatë intervistës ministri i Drejtësisë ka komentuar edhe situatën në Shqipëri, duke thënë se vendi ynë është përfshirë nga një betejë e ashpër mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje korrupsionin.
Mediat citojnë edhe zëvendës ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili ka deklaruar se Belgjikës iu deshën 5 muaj për të përcjellë verdiktin që pala shqiptare ta arrestonte Bajrin. Safet Bajri dhe anëtarët e grupit të tij u arrestuan javën e kaluar, përmes një operacioni policor të shtrirë në Shqipëri, Belgjikë dhe Holandë.
Në Belgjikë Bajri akuzohet për një sërë krimesh të rënda, përfshirë shkatërrim prone, sulm me armë zjarri dhe shantazhe, me qëllim kontrollin e xhiros së prostitucionit në rrethinat e Brukselit. /abcnews.al