Përtej politikës: Sulmi i ndaj konventës së Stambollit

schedule20:13 - 7 Prill, 2021

schedule 20:13 - 7 Prill, 2021

Nga Linda Karadaku

Vendimi i Turqisë për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit ka shkaktuar zemërim të brendshëm dhe ndërkombëtar. Shumë njerëz pyesin nëse kjo është një taktikë e presidentit Erdogan për të forcuar pushtetin në kurriz të të drejtave të grave. “Dekreti Presidencial i Turqisë botuar në 20 Mars që njofton tërheqjen nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një vendim i keq-këshilluar. Minon të drejtat e grave dhe dërgon sinjal të gabuar për të gjitha gratë në Turqi dhe më gjerë”, tha Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç. “Në një kohë kur format e dhunës ndaj grave janë në rritje në vend, Turqia nuk duhet të zmbrapset dhe të zvogëlojë mjetet e saj për të luftuar kundër kësaj murtaje”, shtoi ajo.

Turqia kishte ratifikuar Konventën e Stambollit, pasi u bë gati për nënshkrim në këtë qytet, në vitin 2012. Ky traktat është një instrument ligjor unik për të trajtuar dhunën ndaj grave. Ai përfshin jo vetëm dhunën në familje por edhe format e tjera të dhunës ndaj grave duke përfshirë abuzimin psikologjik dhe fizik, ngacmimet seksuale, përdhunimet, krimet e kryera në emër të të ashtuquajturit “nder” dhe martesën e detyruar. Konventa u kërkon shteteve të zbatojnë një varg masash praktikë gjithëpërfshirëse për të parandaluar dhunën ndaj grave, për të mbrojtur viktimat dhe për të ndjekur penalisht autorët e krimeve.

Krijon gjithashtu një mekanizëm specifik të pavarur monitorimi, të quajtur GREVIO, në mënyrë që të sigurojë zbatimin efektiv të dispozitave të tij nga shtetet nënshkruese. E rëndësishme është që Konventa i dërgon një sinjal të fuqishëm shoqërisë se dhuna në familje nuk mund të konsiderohet kurrë çështje private ose familjare; është shkelje e të drejtave të njeriut dhe duhet të shqetësojë shoqërinë në tërësi. Vendimi për ratifikimin e Konventës ishte miratuar unanimisht nga parlamenti turk dhe teksti ishte mbështetur nga të gjithë mbrojtësit e të drejtave të grave në Turqi, të cilët kanë demonstruar në të gjithë vendin për të kërkuar zbatimin e saj të plotë.

Ky traktat është ratifikuar nga 34 shtete anëtare të Këshillit të Evropës dhe po bëhen përpjekje për ratifikimin e shpejtë nga të 13 vendet e tjera anëtare. Dhe ka një nevojë urgjente për të ndaluar përpjekjet në rritje për të penguar ratifikimin e Konventës së Stambollit, ose për të bërë thirrje për t’u tërhequr nga ajo, duke përhapur qëllimisht informacione të rreme rreth saj. Miliona gra dhe vajza në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi vuajnë nga dhuna ose vuajtja fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike. Gratë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi ende kanë frikë të raportojnë rastet e dhunës në institucione.

Vendet në rajon vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe dhunë të vazhdueshme dhe sistematike ndaj grave që janë rrënjosur thellë në strukturën e shoqërive. Dhuna ndaj grave mbetet e përhapur dhe reagimi në rritje kundër feminizmit, barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, paraqet sfida shtesë ndaj ndryshimeve kushtetuese, legjislative, politike dhe programore, të cilat janë kaq të nevojshme për të luftuar kundër dhunës ndaj grave./ Abcnews.al