Sipas analistëve maqedonas, vizitat e ditëve të fundit të liderëve të ndryshëm ndërkombëtarë në vend, kanë bindur një pjesë të mirë të qytetarëve që të votojnë në referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit.
Politologët dhe analistë në Maqedoni janë ndarë në dy palë për sa i përket ndikimit që kanë vizitat e shpeshta të faktorit ndërkombëtar në mbështetje të referendumit. Mesazhet e dhëna nga perëndimi kanë bindur qytetarët që të mbështesin në mënyrë masive referendumin e 30 shtatorit, thonë një pjesë e analistëve. Por ka dhe nga ata që mendojnë se vizitat intensive të kenë kundër-efekt.
Por njëkohësisht në vend po zhvillohet dhe një fushatë për bojkotimin e referendumit, për të cilën analistët mendojnë se është e koordinuar, ndoshta dhe nga jashtë. Kjo pasi janë shtuar faqet e ndryshme në internet që bëjnë propagandë për bojkot. Politologë maqedonas shprehen të bindur se nëse referendum do të ketë sukses atëherë ndikimi rus në Ballkan do të pësojë një goditje të rëndë. Edhe përfaqësuesit e lartë amerikanë dhe evropianë që vizituan vendin, u shprehën të shqetësuar për ndikimin rus në referendum.