Plazhi i vjetër në Vlorë kthehet në kosh plehrash.
Ujëra të zeza që derdhen në det, mbeturina në të gjithë sipërfaqen e plazhit të vjetër. Investimet prej vitesh kanë qenë të cunguara. Ajo që dikur cilësohej si perla e qytetit sot pa frikë mund të quhet një vend i harruar.
Vlonjatët e indinjuar tregojnë se në këtë plazh nuk merret askush me pastrimin.
“Vjet pak a shumë këtu e kemi bërë plazhin po të venë dorë se është e papastër. Kur ishte kohë e keqe me dallgë çfarë nxirrte plazhi grumbulloheshin këtu. Të vinin ca punëtore t’i mblidhnin pastaj deti e mori brenda papastërtinë,” thotë një qytetare.
“Mund të ketë qenë një nga pikëpyetjet e mia se jam dhe i vjetër për braktisjen e zonës. Jo sot po ndër vite. Gabimet e motshme i gjen këtu. Mbeturina shkarkime, makina, njerëz të pakontrolluar. Nëse duan t’i bëjnë një dhuratë Vlorë t’i bëjnë plazhin e vjetër,” thotë një qytetar tjetër.
Banorët e vjetër kanë nostalgji për këtë plazh që dikur e frekuentonin me shumë dëshirë pasi ishte i pastër.
“Plazhi ka qenë i pastër. Këtu ka qenë kampi i pionerëve kabinat, ka pas lezet atëherë. As ka vënë dorë njeri fare e s’besoj se do venë.”
“Duhet të punojnë qeveritarët të bëhen bashkë ta rregullojnë. Mbaj mend që rëra ishte e pastër, kishte pemë, rrinin kalamanjtë tek hija s’kishte nevojë për çadra. Sot është i papastër. Duhet të vihet dorë, që të kthehen turistët të kthehen fëmijët tanë këtu prapë.” /abcnews.al/