Trump në Japoni: “Asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë SHBA”

schedule11:34 - 5 Nëntor, 2017

schedule 11:34 - 5 Nëntor, 2017

Gjatë vizitës së tij në Japoni, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Tokio duhej të kishte rrëzuar raketat e Penianit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Asnjë diktator nuk duhet të nënvlerësojë këmbënguljen dhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ka qenë kjo deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, duke iu referuar tensioneve mes vendit dhe Koresë së Veriut, gjatë fjalimit të tij para trupave ushtarake në bazën ajrore në Jokota në lindje të Tokios. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të qëndrojë në kryeqytetin japonez deri të martën.
Sipas burimeve diplomatike, Trump kishte kritikuar qeverinë japoneze pas testeve raketore të Penianit duke theksuar se duhej ti kishin rrëzuar.

Trump, më tej i ka kërkuar shpjegime për faktin që nuk reagoi dhe pse nuk kishte sinjalizuar për atë që po ndodhte. Duke shkelur ligjet ndërkombtare, Korea e Veriut lëshoi dy raketa balistike në 29 gusht dhe në 15 shtator. Raketat pasi kaluan ishullin Hokaido, ranë në Paqësor.
Forcat mbrojtës japoneze nuk reaguan pasi asnjë nga raketat nuk do të binin në territorin e Japonisë.

Gjatë vizitës së tij në Azi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin. Lajmi u konfirmua nga vetë Trump për gazetarët në bordin e avionit Air Force One, gjatë udhëtimit për në Japoni.

Tramp u shpreh se i duhet ndihma e Putin për të zgjidhur krizën gjeopolitike me Korenë e Veriut. Takimi mund të realizohet në Vietnam ose në Filipine kur dy liderët do të marrin pjesë në samitin e bashkëpunimit ekonomik aziatiko – paqësor. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se do të diskutojë dhe për kërcënimin e regjimit të Penianit me liderë të ndryshëm gjatë vizitës së tij në kontinentin aziatik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!