Ditën e sotme në medie u përhap shpejt lajmi se kombëtares Shqiptare i janë hequr pasaportat diplomatike dhe duhet t’i dorëzojnë deri në fund të qershorit.
Pas këtij vendimi ka reaguar Andi Lila, pjesë e kombëtares së kualifikuar në Europian, teksa së fundmi ai i është futur politikës si pjesë e Partisë Demokratike.
Lila sqaron edhe një detaj, kur shprehet se nga 10 vite, afati është ulur në 5 vite. Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka pak më parë shpjegoi vetëm se pasaportave u ka mbaruar afati, pa sqaruar faktin se ky afat është përgjysmuar.
POSTIMI – Të nderuar miq. Ky është njoftimi që më ka ardhur mua sot, por edhe të gjithë lojtarëve të kombëtares Shqiptare që dërguan Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Sipas këtij njoftimi, të gjithë ne duhet të dorëzojmë pasaportat diplomatike që na skadojnë në Qershor 2026 pasi vlefshmëria e tyre është shkurtuar deri në 30 qershor 2021.
Këtë shqetësim po e ndaj me ju, jo vetëm për faktin se futbollistëve po ju hiqet pasaporta diplomatike, por për të treguar mënyrën e sjelljes, trajtimit dhe vlerësimit që ka për sportistët elitarë mazhoranca e sotme.
View this post on Instagram
Në 2016 nga Kryeministri u pritëm me ceremoni shtetërore për rezultatin historik sportiv, pasi dërguam Shqipërinë në Europian.
Ndërsa sot, vetëm për faktin se futbollistët e kombëtares i dhurojnë bluzën e kombëtares z.Lulzim Basha, ju kërkohet nga zyrtarët e kësaj mazhorance që të dorëzojnë pasaportat diplomatike.
Kjo sjellje inatçore nuk mund të jetë standardi i sjelljes së një shteti demokratik që aspiron për tu bërë anëtar i BE-së.
Sigurisht që ata që tallen me sportistët, që i duan ata vetëm për t’i përdorur sportistët si fasadë për propagandën e tyre të dështuar do të marrin ndëshkimin me votë nga sportistët.
Këto pasaporta, që si një hakmarrje e ulët po ju hiqen sot futbollistëve, do t’ju rikthehen menjëherë në shtator 2021 si një nga vendimet e para që do të marrë qeveria e Kryeministrit Basha.
Sot çdo sportist e ka kuptuar se, edhe në sport ka ardhur koha për ndryshim, ndryshim që do të vijë më datë 25 Prill. /abcnews.al