Përfaqësuesi i PS: Fleta e votimit me emra rrezikon shëndetin e votuesit, shkakton vonesa në numërim

schedule12:24 - 1 Prill, 2021

schedule 12:24 - 1 Prill, 2021

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridjan Salianji deklaroi në mbledhjen e sotme se fleta e votimit me emra e rekomanduar nga kryekomisionieri Ilirjan Celibashi shkakton vonesa dhe në kohë pandemie mund të rrezikojë jetën e votuesve që presin në radhë duke pasur parasysh se jetojmë në kohë pandemie.

Ai u shpreh se sipas rregullores në rast se fleta do të ishte me emra, duhet të ketë emrin e partisë dhe kryetarit të partisë dhe jo të kandidatit. Megjithatë theksoi ai, kjo shkakton vonesa jo vetëm në votim por edhe në numërim për shkak se gjatë fushatës ajo që promovohet më shumë nga partitë politike është numri identifikues në fletën e votimit.

“Të tre variantet janë të mundshme për t’u zgjedhur nga komisioneri. Sa i përket përmbajtjes së fletës së votimit, thelbësore është të votohet qartë dhe thjeshtë. Që të numërosh shpejt, duhet që fleta e votimit duhet të mbajë hapësirën për votimin parapëlqyes. Kjo përcaktohet në varësi të pjesëmarrjes në zgjedhje. Informacioni në fletën e votimit nuk duhet të jetë i ngarkuar. Në përmbajtjen e fletës së votimit, ligjvënësi ka pasur qëllim të qartë kur e ka lidhur me emrin. Nëse fleta do ketë emra duhet të jetë emri i subjektit dhe emri i kryetarit të partisë.

Mendimi jonë është që kjo realizohet nga numri i partive. E vetmja mënyrë për të realizuar një votim që të respektohet votimi për subjektet është votimi me numër. Fleta me numra është shumë e thjeshtë. Votohet subjekti zgjedhor dhe numri për kandidatët. Reklama bëhet për numrin e partive. Numri e bën votimin e thjeshtë. Unë besoj që ky proces është i lidhur me procesin e votimit. Nuk e di si mundet në numërim, të përcaktohet vota. Ne themi sot se duhet rezultat i shpejtë. Procesi më i rëndësishëm është shpejtësia e rezultatit. Nëse do votohet me këtë fletë, do ketë vonesë. Nëse ka vonesë do ketë radhë dhe për pasojë do ketë shmangie nga votimi ose rrezikim të jetës së njerëzve për shkak të COVID”, tha Salianji.

Ndërkohë Celibashi, tha se në përputhje me Kodin Zgjedhor fleta e votimit më e përshtatshme është ajo me emrat e kandidatëve pasi i lehtëson zgjedhësit votimin duke mos i krijuar konfuzion.

“Ka qenë varianti me numra. Varianti me emra ka dy opsione, shënimi i emrave në formativ portret. Këto tre variante kanë qenë në diskutim. Propozimi konkret ka konsistuar në variantin me emra. Versioni i fletës së votimit në të cilën kandidatët janë të shënuar me emra shkon në përputhje me kodin zgjedhor. Është më ndihmuese për zgjedhësit që ata mos jenë konfuzë në ditën e zgjedhjes. Të tre variantet janë në përputhje me Kodin Zgjedhor. Nuk po diskutojmë atë,. Ne vlerësojmë që varianti i propozuar shkon në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor për t’i kërkuar lehtësi votuesit”, u shpreh Celibashi.

/mv.abcnews.al