Përmes një deklarate publike 10 prokurorët “rebelë” të krimeve të Rënda treguan pse refuzuan shortin e dosjes “Shullazi”. Sipas tyre, urdhrat e kryeprokurores Arta Marku për procedim disiplinor dhe transferime ishin të paligjshëm. Pretendimet morën përgjigje nga vetë Marku. Përmes një deklaratë, kryeprokurorja e përkohshme tha se prokurorët refuzuan të bëjnë detyrën dhe i paralajmëroi për përgjegjësi penale.
Dhjetë prokurorët “rebelë” të Krimeve të Rënda, që refuzuan shortin e dosjes “Shullazi”, vlerësojnë si të paligjshëm urdhrat e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku për procediminet disiplinore dhe transferimet. Përmes një deklarate publike drejtuar mediave, zyrës së delegacionit të BE në vend, misionit PAMECA dhe ambasadës amerikane në Tiranë, prokurorët këmbëngulin se kundër ligjit ishte edhe përpjekja e shortimit të dosjes “Shullazi” në 19 shtator tek Krimet.
“Grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo ne fazën e hetimit, e aq më pak në fazën e konkluzioneve përfundimtare”, thuhej në deklaratën me 10 firma. Në vijim prokurorët shprehnin bindjen se Prokurorja e Përgjithshme nuk ka kompetencë ligjore për procedime disiplinore deri në forminin e KLP. Sipas tyre, ligji ndalon edhe transferim apo komandim te magjistrateve pa dëshirën e tyre. “Veprimet e Prokurores se Përgjithshme antiligjore dhe e kthejne prokurorine në modelin e vjetër hierarkik e të centralizuar”, thuhej ne deklarate.
Dy orë me vonë Prokurorja e Përgjithshme e Përkoshme, Arta Marku, theu heshtjen. Në një deklarate që niste me fjalët “Të dashur qytetarë të vendit”, Marku e cilësonte situatën tek Krimet e Rënda si “absurde dhe të pahijshme”.
“Është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend”, shprehej Marku.
Sipas saj, 10 prokurorët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundështim me detyrimet kushtetuese.
“Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit”, vijonte Marku.
Drejtuesja e përkohshme e organit qëndror të Akuzës garantonte qytetarët se vendimarrjet e saj nuk kishin cënuar asnjë çështje në hetim apo gjykim. Ajo saktësonte se për çështjen Shullazi është caktuar një grup prokurorësh dhe se një tjetër grup prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj. Duke përmendur se prokurorët e ndershëm kanë nevojë për mbështetjen e saj por dhe të publikut, Marku mbyllte reagimin me fjalët “së bashku do ta fitojmë betejën me krimin”. /abcnews.al