Meta kthen “vettingun” në Polici: Tentativë për t’u përdorur si shantazh ndaj punonjësve

schedule13:48 - 30 Mars, 2021

schedule 13:48 - 30 Mars, 2021

Presidenti Ilir Meta këtë të martë ka kthyer për shqyrtim ligjin për rivlerësimin e punonjësve të policisë së shtetit, Gardë dhe SHÇBA.

Meta,  thekson se kjo është ndërhyrja e 3 (tretë) që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018 – 8 mars 2021), ndaj dhe Kreu i Shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetting-ut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar ose që bëhet për qëllime politike.

Kreu i shtetit thekson se kjo nismë ligjore ndonëse është propozim i një grupi deputetësh, në fakt, në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, projektligjin e ka prezantuar dhe eka mbrojtur Zëvendësministri i Brendshëm, që ka mbajtur të njëjtin qëndrim “copy-paste”, pa ndryshuar as presjen, nga relacioni i nënshkruar nga deputetët nismëtarë.

Nisur nga këto argumente, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.”

Në arsyetimin e tij kreu i shtetit thekson se:

“Eshtë e pakuptimtë dhe e papranueshme se si mund të prezantohet një projektligj që është nismë e deputetëve, nga përfaqësuesit e qeverisë. Mjafton ky fakt për të provuar edhe një herë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit. Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë, që njehson vullnetin e kësaj të fundit dhe ku parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve i parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ekziston midis ekzekutivit dhe parlamentit, por këto dy organe në veprimtarinë e tyre kanë humbur seriozitetin për t`u kujdesur, qoftë dhe në dukje, për respektimin e këtij parimi”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!