Nga Leontina Nika
Ankthi, pasiguria, izolimi e trukimi i heronjve janë në qendër të veprës së Ardian Isufit.
“Unë mendoj që sot, forma e kontrollit dhe rënia e miteve nuk ndodh në forma kaq shumë direkte…”
Rënia e miteve në aspektin politik dhe kulturor, janë ngacmime që kanë frymëzuar artistin pamor në instalacionin e tij të fundit.
“Si në realizmin socialist ku mitet kanë rënë edhe në realizmin kapitalist mitet kanë rënë, pra metafora e Spiderman sjell një ironi filozofike mbi këtë mit i cili në fillesat e tij del si një lloj figure që shpëton njerëzimin. Kurse sot, në këtë botë postmoderne, çdo mit ka nevojë për një rishikim të sistemit…”
Simbolika e kamerave të surveimit, apo copëzimi i heroit modern, i cili është kafshuar, po aq sa arkitektura e qytetit apo zhbëria e qytetërimit, janë shqetësime që artisti i sjell në këtë ekspozitë, ku edhe hapësira e vogël e galerisë është në përshtatje me veprën.
Pajtimi i heroit, apo liderit më të keqën, kthehet në kërcënim, e këtë ai sjell përmes shkrirjes së ujkut me heroin modern.
“Spiderman” nuk mund të shpëtojë botën nga frika apo pasiguria e të nesërmes!… Ky mit i realizmit kapitalist është “djali plangprishës” në utopinë e tij, nën kontrollin e sistemit dhe duket larg ëndrrës dhe dëshirës për të shpëtuar njerzimin thekson Isufi. Çdo përpjekje e tij tashmë është e survejuar, e kalkuluar, dhe jashtë çfarëdo lloj dëshire mitike për të na dhënë shpresë dhe guxim për të jetuar.
Ai, (Spiderman), vjen në veprat e artistit Ardian Isufi në situata të ri-kontekstualizuara, në përplasje kohësh të ndryshme, ku jeta rurale dhe urbane duken si të mbajtura pezull nën peshën e këtij të “pavdekshmi të vdekshëm”; thuajse ai është njëri prej nesh në agoninë e jetës tonë. /abcnews.al/