Basha: Pagat e mësuesve do të rriten 60%

schedule13:22 - 27 Mars, 2021

schedule 13:22 - 27 Mars, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të shtunë ka zhvilluar një takim me mësues të sistemit parauniversitar në njësinë nr.11 në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Basha theksoi se është e pafalshme braktisja e shkollave në vend.

Me programin e kësaj force politike, kryedemokrati tha se pagat e mësuesve do të rriten me 60% dhe se arsimit do t’i jepet vendi që meriton.

“Së pari në motivimin e mësuesve që do të thotë kryesisht kushtet e punës dhe pagat dhe këtu kemi parë që këto 8 vite rritja e pagave të mësuesve ka qenë një shaka e përsëritur por e bërë kurrë realitet.

Erdhi tani sezoni zgjedhor dhe më në fund u kujtuan për një rritje modeste të nivelit bazë në janar që është krejtësisht  pamjaftueshme për 8 vite sakrifice, pune, rritje të kostos së jetës, rritje të çmimeve. Ndërkohë e vetmja gjë që ka munguar është mbështetja financiare për mësuesit.

Pra ajo që  doja të thoja që kushtet e punës dhe pagat janë kryesorja. Kushtet e punës mos të flasim për politizimin e skajshëm që i është bërë arsimit në tërësi, arsimit parauniversitar, por edhe arsimit universitar. Një nga misionet kryesore të normalizimit të politikës shqiptare, është që ta largojë frikën si një instrument sundimi.

Njerëzit duhet të jenë të lirë të thonë mendimet e tyre dhe kjo është A-ja e demokracisë!

Ky është formimi im, kjo është kërkesa juaj, kjo është minimumi që meriton Shqipëria dhe shqiptarët! Ndaj, 25 Prilli do të jetë një ditë ndryshimi i thellë, edhe në raport me qasjen e politikës, edhe në raport të qasjes ndaj politikës, edhe në raport të qasjes së lirisë së njerëzve për të shprehur mendimet e tyre arsimtarët nuk do të ndëshkohen nëse kanë qëndrime të kundërta politike me qeverinë e ardhshme, me kryeministrin e ardhshëm.

Nuk do të vlerësohen thjeshtë mbi pikëpamjet e tyre politike, do të vlerësohen vetëm mbi bazën e profesionalizmit dhe performancën në detyrë. Ky është borxhi që kemi ndaj fëmijëve, ky është borxhi që kemi ndaj Shqipërisë së nesërme e cila është tërësisht në duart e prindërve dhe mësuesve, mësuesve dhe prindërve.

Dhe detyra jonë është t’i ndihmojmë të dy, prindërit përmes ekonomisë, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe rritjes së pagave dhe mësuesit po kështu përmes kushteve dinjitoze të punës, rritjes së pagave dhe modernizimit që është sot më i mundshëm se kurrë dhe me një kosto më të përballueshme se kurrë për shkak të avancimeve teknologjike.

Ndaj keni zotimin tim që të gjitha ato qëndrime që janë shprehur në programin tonë për arsimin, do të përbëjnë një plan pune që do të nisë zbatimin prej ditës së parë, prej ditës tonë të parë në qeveri”, tha Basha.

/abcnews.al/