TIRANË- Pas tre ditësh luftë me zjarrin, zjarrfikësit kanë mundur të gjejnë orët e para të mëngjesit të sotëm, trupin e pajetë të 32-vjeçarit Arjan Sala në magazinën që u përfshi nga flakët në Kashar, ku i riu punonte si përgjegjës i rojeve të sigurisë.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra bën me dije se zjarrfikësit në orët e vona të natës kishin mundur të hyjnë brenda magazinës pas shuarjes së flakëve, por gjetja e trupit të të riut ishte e vështirë, për shkak të mbetjeve të djegura. Pas disa kohësh kërkimesh, zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë trupin e të riut, sipër të cilit kishin rënë disa rroba të lagura.
Ndërkohë ashtu siç raporton edhe gazetarja Xhensila Kodra, kanë qenë pikërisht disa bombola që shërbejnë për fikjen e zjarrit ato që kanë bërë të mundur lokalizimin e trupit të Arjan Salës. Ky i fundit që në momentin kur kishte rënë zjarri të mërkurën pasdite ishte futur menjëherë në magazinë, drejt vatrës me një fikse zjarri në dorë. Ai ka nxjerrë çdo punëtor jashtë, por pa mundur të dalë vetë. Pranë trupit të tij janë gjetur edhe fikset e zjarrit , çka tregon se ai ka luftuar deri në fund për të shuar flakët, por pati një fund tragjik.
Arjan Sala po konsiderohet të gjithë si një hero, pasi ra në krye të detyrës. Ai pavarësisht pasojave që i kushtuan jetën, nuk la të dëmtohej asnjë punonjës, madje luftoi me flakët në përpjekje për të shpëtuar edhe magazinën me materialet që ishin brenda. E.L /abcnews.al/