Edhe po mbushen gati 20 orë që nga zjarri i rënë në një magazinë tek mbikalimi i Kamzës, ende nuk dihet fati i shefit të rojeve të sigurisë, Arjan Sala. Ky i fundit u fut mes flakëve duke u përpjekur që të shuante vatrën e zjarrit që kishte rënë në magazinën ku punonte.
Drejtori i Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj në një komunikim për mediat tha se forcat zjarrfikëse, kanë arritur pas 15 orësh punë të neutralizojnë zjarrin e rënë mbrëmjen e djeshme në magazinë , por ende nuk dihet për të 30-vjeçarin, Sala.
Ndërkohë familjarët e miqtë e Arjan Salës, janë mbledhur pranë vendit të ngjarjes ku edhe kanë debatuar me Goxhaj duke kërkuar që të ndërhyhet në thellësi të magazinës për të gjetur 30 vjeçarin.
“Me hap një dritare më të madhe. E hapim me matrapik”
“Çështje kjo gjë? Ato thonë që është 180 gradë dhe nuk futem brenda. Pa mjete pa asnjë gjë.”
“Ke vatra e zjarrit nuk ka hyrë asnjë.”
“Pronari i objektit ka dhënë urdhër. Të prishet objekti. Ku të duan zjarrfikësit.” janë shprehur disa prej familjarëve. E.L/abcnews.al/