Të luash me kombëtaren e vendit tënd është arritja më e madhe për një futbollist. Sidomos për ata që kanë edhe ndjenja atdhetarie, pasi kohët kanë ndryshuar dhe kemi parë shumë herë lëvizje nga një kombëtare te tjetra për teka nga më të ndryshmet.
Bryan Gil është 20 vjeç, luan në krahun e majtë të sulmit dhe gushtin e kaluar u huazua nga Sevilla tek Eibar, ekip me të cilin numëron 3 gola dhe 3 asiste. Paraqitjet e mira kanë ndikuar që të marrë një ftesë nga Luis Enrique, trajneri i Spanjës.
“Sapo mora vesh që do të grumbullohem me Spanjën nisa të qaja nga emocionet. Jam tepër entuziast që ndodhem këtu, shpresoj të më presin mirë lojtarët e tjerë dhe mezi po pres të debutoj“, deklaroi talenti i klubit andaluzian.
Spanja do të luajë takimin e parë të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 kundër Greqisë në Granada (25 mars). Tre ditë më vonë Gjeorgjia në transfertë, teksa më 31 mars luhet takimi kundër Kosovës së Challandes në Sevilla. /abcnews.al