Policia italiane shkatërroi një bandë shqiptarësh, që grabisnin apartamente në veri të Italisë. 6 të arrestuarit janë të afërm me njëri-tjetrin. Mes të arrestuarve është edhe vëllai dhe nipi i Vasil Ramës, shqiptarit që terrorizoi Italinë vitin e kaluar, duke udhëtuar me shpejtësi marramendëse me të famshmin “Audi të Verdhë”.
Policia italiane shkatërroi një bandë shqiptarët, të cilët grabisnin banesa në disa rajone të Italisë Veriore. Në pranga ranë 6 grabitës shqiptarë të moshave nga 21 në 36 vjeç, të gjithë të afërm me njëri-tjetrin. Mediat italiane kanë publikuar vetëm inicialet e tyre. Ndër ta është vëllai dhe nipi i Vasil Ramës, 36-vjeçarit shqiptar që verën e vitit 2016 përhapi panik në autostradat e veriut të Italisë, duke lëvizur me shpejtësi marramendëse me të automjetin e famshëm “Audi të verdhë”, veprim për të cilin u dënua me dy vite e gjysmë burg.
Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptarët u arrestuan gjatë dy operacioneve të ndryshme të zhvilluara më 15 tetor dhe 1 nëntor në Padova e Viçenca. Dyshohen për të paktën 34 vjedhe banesash dhe të 4 automjeteve, gjatë muajve të fundit. Por policia beson se ata janë përgjegjës edhe për shumë vjedhje të tjera. Aktiviteti i tyre shtrihet në 3 rajone të ndryshme të veriut të Italisë, në Veneto, Emilia Romanja e Lombardi.
Spikat shpejtësia me të cilën ata kryenin grabitjet. Mediat italiane bëjnë të ditur se brenda një periudhe kohore prej pak orësh, shqiptarët denoncoheshin për grabitje banesash në disa qytete të ndryshme, ç’ka do të thotë pasi kryenin grabitje në një banesë në një qytet, udhëtonin për të grabitur në një qytet tjetër. Hetuesit thanë se ata kishin mundur ti shpëtonin dhe ti zhdukeshin me shpejtësi nga pamja policëve që u viheshin në ndjekje. Lëviznin në shumicën e rasteve me një veturë Mini Cooper. Në disa raste, ata kishin grabitur apartamente pa u vënë re nga banorët që gjendeshin brenda. Edhe nëse zbuloheshin, ata përshëndesnin pronarët e apartamenteve duke qeshur dhe hidheshin nga dritarja duke kërcyer në tarracat e ndërtesave të tjera. Në një rast, ata ishin hedhur edhe nga kati i tretë i një pallati, për tu arratisur.
Vjedhjet e tyre ishin të shumta, por në operacionin për arrestimin e tyre, policia u sekuestroi objekte që nuk e tejkalojnë vlerën e 100 mijë eurove./abcnews.al