Me kalimin e orëve është rënduar bilanci i viktimave të uraganit “Florens”. Presidenti Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut, ku janë regjistruar viktimat dhe po përgatitet të vizitojë zonën. Ndërkohë, në anën tjetër të botës, tajfuni “Mangkut” ka shkaktuar vdekjen e 14 personave në Filipine.
Uragani “Florens” që ka goditur Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar të paktën 7 viktima. Edhe pse i degraduar në nivelin e një stuhie tropikale, “Florens” vazhdon të përbëjë rrezik dhe pritet që të shkaktojë të tjera përmbytje katastrofike. Aktualisht llogaritet që erërat e uraganit të fryjnë deri në 80 kilometra në orë, ndërkohë që në disa qytete niveli i shirave ka arritur në 60 centimetër. Autoritetet lokale paralajmërojnë se shumë shpejti niveli mund të arrijë në 1 metër. Zonat më të prekura janë ato të Karolinës së Veriut dhe asaj të Jugut, ku rreth 1 milion banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut, ku janë verifikuar të gjitha viktimat dhe mund ta vizitojë zonën javën e ardhshme, pasi stuhia të ketë kaluar. Urdhri i presidentit përfshin 8 konte të rajonit verior, për të cilat do të lëvrohen fonde federale për riparimin e dëmeve materiale, si dhe do të ofrohen hua me interes të ulët për objektet e pasiguruara. Ndërkohë, në anën tjetër të botës, tajfuni “Mangkut” është përplasur në Filipine, ku llogariten të paktën 14 të vdekur. Stuhia ka shkulur çati, pemë, ka shkaktuar 42 rrëshqitje toke dhe përmbytje. Erërat e “Mangkut” fryjnë me një shpejtësi prej 185 kilometra në orë dhe kanë goditur kryesisht ishullin e Luzonit. /abcnews.al