“Vjosën po na e mbron Leonardo Di Caprio!” Çuçi: Nuk është investuar sa duhet për mjedisin

schedule20:39 - 19 Mars, 2021

schedule 20:39 - 19 Mars, 2021

Këtë të premte në emisionin “Bardh a zi” me Erion Kristo dhe Ornela Gace u fol për mjedisin, dhe se sa është investuar nga qeveria për mbrojtjen e natyrës.

Zëvendësministrja e mjedisit Ornela Çuçi tha se e gjithë shoqëria nuk është treguar e kujdesshme në mirëmbajtjen e mjedisit, ndërsa shtoi se nuk është investuar sa duhet për të mbrojtur natyrën.

 “Sot Tirana nuk ka asgjë mangët në krahasim me vendet e tjera. 30 vjet tranzicion janë shumë dhe ky tranzicion ka pasur shumë dëme të mëdha. Zhvillimi i menjëhershëm që ne patëm nuk u mbështet fort në politika të mirëmbajtjes së mjedisit. U rrit mirëqenia dhe nuk u mirëmbajt mjedisi nga e gjithë shoqëria dhe kjo nis edhe nga individi por edhe nga shteti”, u shpreh ajo.

E pyetur se çfarë bëri Rilindja për mjedisin, ajo tha se folezimi i Flamingove është certifikata më e mirë që i është dhënë “Rilindjes”.

“Certifikata më e mirë që i është dhënë e Rilindjes nga mjedisi është folezimi i flamingove në lagunat tona dhe kjo është hera e parë që ndodh”, tha Çuçi.

Ndërsa Genc Kojdheli tha se mjedisi nuk ka probleme vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën. “Sot që flasim ka sipërfaqe më të mëdha se Shqipëria që janë të dëmtuara.Sot mjedisi është një sfidë globale dhe kjo po ndodh në të gjithë botën si sfidë globale. Kemi qytete të mëdha që vuajnë mbi- ndotjen”, tha ai.

/abcnews.al/