Kryedemokrati Lulzim Basha këtë të premte gjatë qëndrimit të tij në Gjirokastër ka vizituar shtëpinë e Kokalarëve.
Familjarë të saj, i treguan liderit demokrat se shtëpia është në harresë, e se ato janë përpjekur me aq sa kanë mundur ta kthejnë në një muze.
Nga krahu tjetër, Basha premtoi se nëse do të vijë në pushtet pas 25 prillit, do të merret me restaurimin e kësaj shtëpie, e cila do të shërbejë si një simbol force e rezistence ndaj një regjimi të egër siç ishte ai komunist, por edhe si frymëzim për gratë dhe vajzat shqiptare.
“Nuk më çudit, sepse shqiptarët e dinë se çfarë përfaqëson Musine Kokalari. Por kjo qeveri në ikje për të hedhur hirin e harresës e ka kollaj. Është një simbol jo thjesht i frymëzimit që ofron Gjirokastra, por është simbol i qëndresës. Një nga aktet më kurajoze që ka bërë një Shqipëri, është bërë nga Musine Kokalari kur kërkoi zgjedhje të lira e të ndershme. Ka qenë pararendëse e demokracisë, sepse këtu u instalua një regjim i egër.
Ky simbol do të ngrihet në piedestal, për të treguar rolin e gruas, por edhe rezistencën ndaj regjimit që solli shumë plagë.
Po shkëlqen Kokalari, një social-demokrate, të cilën ne do duhet ta ngrinim në piedestal. Edhe sot ka një gjuhë urrejtje, përpjekje për të vrarë shpresën e shqiptare për ndryshim. Nëse Kokalari nuk e pa shpresën e ndryshimit, të paktën gratë dhe vajzat e Gjirokastrës dhe Shqipërisë do ta ndezin dritën e shpresës. Jo vetëm do e restaurojmë këtë monument, por do e bëjmë një pjesë të itinerarit turistik të Gjirokastrës”, ka thënë Basha.e.su./abcnews.al