Liroi disa të dënuar përjetë, shkarkohet nga detyra gjyqtarja Enkelejda Hoxha

schedule10:20 - 17 Mars, 2021

schedule 10:20 - 17 Mars, 2021

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha e cila akuzohet se ka liruar nga qelia disa të “fortë” të dënuar për vepra të rënda penale. Vendimi është njoftuar nga kreu i KLGJ Naureda Llagami e cila deklaroi se është pranuar kërkesa e ILD për shkarkimin e Hoxhës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte kërkuar shkarkimin e Enkelejda Hoxhës, duke deklaruar se Hoxha nuk ka marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cenuar parimin e paanësisë së gjykimit.

Në fund të seancës avokati Ardjan Visha paralajmëroi se do ta ankimojë vendimin.

Me urdhër të SPAK, Enkelejda Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit. Ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.

Enkelejda Hoxha është gjyqtarja e dytë që shkarkohet nga detyra me vendim të KLGJ, pas kërkesës së ILD, pas gjyqtarit të Gjykatës së Korçës Markelian Kuqo, për vendimin e lirimit me kusht të Gerd Gjenerarit.

Si nisi procedura?

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.

Sipas ILD kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje. Në qershor të vitit të kaluar, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.

Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia. /mv.abcnews.al