9,360 doza të tjera nga Pfizer, Manastirliu: Vijojmë me vaksinimin intensiv e uljen e fashës së grupmoshave

schedule21:29 - 15 Mars, 2021

schedule 21:29 - 15 Mars, 2021

Mbrëmjen e së hënës mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza” edhe 9,360 doza të tjera të vaksinës për koronavirusin të prodhuar nga Pfizer. Dërgesën e radhës nga korporata shumëkombëshe farmaceutike e pritën në aeroport ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Manastirliu u shpreh se me këtë furnizim të radhës do të vijohet me dozat e dyta për ata që e kanë marrë të parën ndërsa shtoi se më tej do të ulet edhe fasha e grup-moshave.

“Janë vaksinat që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer. Vijojmë me dozat e dyta. Do të përmbyllim gjithë pjesën e vaksinimeve të kryera për stafet mjekësore, të moshuarit, stafet e shtëpive të të moshuarve dhe atyre mbi 80 vjeç. Prej prillit, vijon lëvrohet kontrata. Vijojmë edhe me vaksinimin e personave mbi 80-vjeç dhe presim sasi të tjera vaksinash, nga kontratat e tjera.”

Nga “Nënë Tereza”, dërgesa e Pfizer do të transportohet tek Instituti Shqiptar i Higjienës ku edhe do të ruhen në frigoriferët e posaçëm për t’u shpërndarë më pas në qendrat e vaksinimit.

Kurse, ministri Ahmetaj theksoi se Pfizer i ka premtuar Shqipërisë 500 mijë doza, të cilat sipas tij, do të vijojnë të vijnë muaj pas muaji. Deri tani, sipas ministres Manastirlu, Shqipëria ka pritur mbi 80 mijë doza vaksinash. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!