Pas disa emigrantëve minorene të arrestuar në kufirin meksikan, emergjenca e migrimit ka hapur një tjetër front problemesh për Administratën e Demokratëve, të angazhuar në përballimin e pandemisë. Nga ana tjetër, opozita Republikane e ka akuzuar presidentin se ka nxitur rritjen e fluksit të imigracionit, me shpalljen e një projekt-ligji për një amnisti të imigrantëve pa leje qëndrimi, të cilët tashmë ndodhen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Prej gati dy muajsh është regjistruar një rritje e ndjeshme e kalimit të kufirit të Meksikës nga ana e imigrantëve, dhe në të njëjtën kohë janë rritur gjithashtu arrestimet e kryera nga policia e SHBA në kufi. Në muajin Shkurt janë arrestuar 100 mijë imigrantë menjëherë pasi kanë kaluar kufirin, dhe është përllogaritur që deri në fund të Marsit numri të arrijë në 130 mijë. Në disa raste bëhet fjalë për minorenë që e kalojnë kufirin pa prindër. Vetëm përgjatë ditëve të fundit janë arrestuar 700 prej tyre.
Një fluks i madh imigrimi ka ndodhur edhe përgjatë administratës Obama-Biden në vitin 2014, dhe ishte pikërisht në atë periudhë që u ndërtuan qendra mbajtjeje për minorenët në disa baza ushtarake amerikane pranë kufirit me Meksikën.
Guvernatori Republikan i Texas-it, Greg Abbott është ndër figurat kryesore që i ka kundërshtuar politikat e imigracionit të Presidentit Biden. Fluksi i madh i hyrjeve klandestine është denoncuar edhe nga Donald Trump./abcnews.al