Javë pozitive për skuadrat shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Shkëndija vuajti për të mposhtur Pelister në fushën e vet, por ia doli të marrë tre pikët pas suksesit 1-0. Valmir Nafiu realizoi golin e fitores tre minuta përpara mbylljes së ndeshjes.
Trepikësh i rëndësishëm për kuqezinjtë nga Tetova, që kryesojnë renditjen me 50 pikë, shtatë më shumë se Shkupi ndjekës. Bardhekaltrit thyen 2-0 Vardarin në derbin e kryeqytetit, duke i dhuruar një fitore fantastike “Shvercerave”.
Reginaldo dhe Filip Gligorov shënuan golat e fitores për Shkupin, që synon titullin dhe vazhdon të ndjekë Shkëndijën e Gjokës. Barazim pa gola në takimin Struga-Renova, me miqtë që luajtën me dhjetë lojtarë prej minutës së 42-të.
Hap fals për Strugën që synon kualifikimin në Europa League. Struga mban vendin e katërt me 34 pikë, katër më pak se Makedonija GP, që u mposht 0-3 në shtëpi nga Sileks. Sfida tjetër mes Borec dhe Belasica, përfundoi 1-0 për vendasit. /abcnews.al
Maqedonia e Veriut, java e 23-të
Borec-Belasica 1-0
Makedonija GP-Sileks 0-3
Shkëndija-Pelister 1-0
(Nafiu)
Shkupi-Vardar 2-0
(Reginaldo, Gligorov)
Struga-Renova 0-0