Sulmuesi i Flamengos, Gabigol Barbosa, është përfshirë në një ngjarje aspak të hijshme ditën e djeshme. Braziliani është kapur “mat” në një kazino jo të licencuar në Sao Paolo gjatë një operacioni “blic” të policisë vendase.
“Ne kishim informacion përmes një task force të ngritur nga qeveria e shtetit se do të kishte një grumbullim klandestin, një fenomen të cilin po e luftojmë. Kur mbërritëm atje, për habinë tonë ishte një kazino e tillë. Kishte shumë njerëz, të cilët po e ekspozonin veten e tyre ndaj infektimit.
Për shkak të pandemisë, organizatorët duhet të japin disa shpjegime si dhe të përgjigjen në luftën për krimin kundër shëndetit publik e për lojërat e fatit”, sqaron operacionin shefi i policisë, Eduardo Brotero.
Ky i fundit konfirmoi se nuk pati të arrestuar si dhe nuk pranoi të fliste për Gabigol apo për këngëtatin MC Gui, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në kazino. /abcnews.al