Mbi 100 emigrantë kanë humbur jetën në Mesdhe pasi dy gomonet me të cilat po udhëtonin janë përmbysur. Kjo bëhet e ditur nga Mjekët Pa Kufij, që saktësojnë se ngjarja ka ndodhur në ditët e para të shtatorit në afërsi të brigjeve të Libisë.
Mes viktimave, janë dhe 20 fëmijë, ku më i vogli ishte 17 muajsh. Deri më tani vetëm trupat e dy personave të pajetë janë rikuperuar.
Një dëshmitar tha se Roja Bregdetare Italiane ishte njoftuar, por kur ekipet evropiane të shpëtimit mbërritën, gomonet ishin fundosur. Sipas informacioneve të organizatës humanitare Mjekët Pa Kufij, në dy mjetet lundruese ishin rreth 190 persona. Ata po lundronin drejt brigjeve italiane. Shumica e emigrantëve ishin nga Afrika dhe Lindja e Mesme. /abcnews.al