Bylisi triumfoi sot në Shkodër, ndërkohë që një ditë më parë presidenti Besnik Kapllanaj u dënua me tetë ndeshje nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës. Atij nuk i lejohet të futet në ambientet e brendshme të dhomave të zhveshjes, ose të qëndrojë në stol.
Ndeshjen me Vllazninë e ndoqi nga tribuna dhe në fund ai u pyet nga RTSH edhe në lidhje me dënimin e marrë pas protestave në ndeshjen kundër Teutës. “Kur e dëgjova dje jam çuditur. Të shkosh t’i kërkosh të drejtën arbitrit për një penallti qesharake dhe të dënohesh me tetë ndeshje më duket e çuditshme”, tha fillimisht Kapllanaj.
Më pas ai ka shtuar: “Nuk kam çfarë them, pasi është vendim i tyre. Nuk e di çfarë kanë shkruar në raport. Kam kërkuar llogari për një penallti dhe për 90 minutat, pasi është një arbitër që e ka bërë dy herë, edhe në Durrës. Unë dënohem tetë ndeshje se kërkoj llogari, kurse trajneri kundërshtar hyn tre herë në fushë dhe nuk dënohet.
Kjo nuk është gjë e mirë. Dihet që ekipet e vogla i marrin më lehtë këto dënime. I ka vajtur edhe Shqipëria, kundër Anglisë e Gjermanisë. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe ekipet e vogla duhet të lihen të marrin atë që meritojnë në fushë.
Nuk e kam merituar të dënohem. Pas asaj penalltie qesharake, ndërkohë që i njëjti arbitër bën vetëm humor në fushë, kam kërkuar të drejtën time. Njerëz jemi dhe do e kërkojmë të drejtën. Nuk e mendoja se do shkoja në komision të Disiplinës”. /abcnews.al