Ndërsa të martën del në shitje libri i radhës që fshikullon qeverisjen e Donald Trump, presidenti amerikan ka reaguar në Twitter duke paralajmëruar se do të shkruajë vetë një libër që do të tregojë të vërtetën e presidencës së tij.
Donald Trump ka deklaruar se do të shkruajë vetë një libër që do të tregojë të vërtetën e presidencës së tij. Paralajmërimi i Trump vjen si një përgjigje ndaj kritikave të ardhura në adresë të tij nga burime anonime të administratës amerikane dhe kur të martën del në shitje libri “Frika” i gazetarit Bob Uduord.
“Libri i Uduord është qesharak, është vetëm një tjetër sulm ndaj meje që vjen nga burime të pacituara ose anonime”, ka thënë Trump.
Në profilin e tij në Twitter, presidenti amerikan është shprehur se akuzat që ngrihen ndaj tij janë fiktive dhe rrjedhimisht libri që do të dalë në treg është vetëm një thriller.
“Do të jem unë ai që do të shkruajë një libër të vërtetë”, ka shtuar Trump.
Në librin e gazetarit Uduord citohen figura kyçe të administratës amerikane, të cilat e etiketojnë Trump si një “amator” dhe një “idiot”. Sidoqoftë, sekretari i Mbrojtjes Xhim Metis dhe shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, të cilëve u atribuohen citimet, kanë mohuar që të kenë thënë fjalë të tilla.
Por britanikia “The Guardian”, që zotëron një kopje të librit “Frika” ende pa u publikuar, shkruan në edicionin e saj online se Uduord i ka paraprirë akuzave të Trump sa i takon përdorimit të burimeve anonime. Veterani i shtypit amerikan thotë se intervistat e tij janë kryer në bazë të parimit të gazetarisë që lejon publikimin e informacionit pa cituar burimin.
Shumë pjesë të librit të tij janë rrëfyer me citime direkte, që në pamje të parë duket se vijnë nga shumë ish-funksionarë të administratës, mes të cilëve ish-shefi i personelit Rein Pribus, ish-strategu Stiv Benon, ish-sekretari Rob Porter dhe ish-këshilltari ekonomik Geri Kohn. Gjithashtu, në libër Bob Uduord shkruan se presidenti Trump refuzoi të intervistohej./abcnews.al