Suedia drejt ngërçit politik

schedule20:46 - 10 Shtator, 2018

schedule 20:46 - 10 Shtator, 2018

Një ditë pas zgjedhjeve Suedia rrezikon të hyjë në një ngërç politik. Me koalicionet tradicionale që kanë dalë thuajse të barabarta, balanca e pushtetit është në duart e ekstremistëve.

Suedia po përballet me një ngërç politik pasi dy blloqet tradicionale, të majtë dhe të djathtë dolën me rezultate të barabarta në zgjedhjet e së dielës, ndërsa ekstremistët arritën një avantazh të paprecedent me politikën e tyre anti-emigracion.

Kur janë numëruar thuajse të gjitha votat, koalicioni i majtë i udhëhequr nga social-demokratët dhe ai i djathtë në opozitë kanë siguruar secili rreth 40 për qind të votave, përkatësisht 40.6 dhe 40.3 për qind. Thënë ndryshe, të majtët kanë vetëm një vend më shumë në parlamentin me 349 anëtarë.

Suedezët Demokratë, një parti e bazuar në rrënjët e supremacisë së bardhë, ka fituar 17.6 për qind të votave, rreth 5 për qind më shumë se 4 vjet më parë. Ishte rezultati më i lartë i një partie të vetme dhe në përputhje me parashikimet e sondazheve, por jo me ato të liderit Xhimi Akeson, që shkonin nga 20 deri në 30 për qind.

Akeson është tani kryetari i partisë që ka në dorë balancat e pushtetit.

“Ne nuk do të marrim pjesë në një qeveri ku nuk kemi influencë. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka për të rrëzuar çdo qeveri të tillë”, ka deklaruar Akeson.

Nëse partitë e qendrës së djathtë dhe ato të së majtës nuk thyejnë barrierat ndarëse, atëherë do të jetë e pamundur krijimi i një qeverie pa mbështetjen e ekstremistëve, të cilët duan që Suedia të braktisë Bashkimin Europian dhe të ndalojë emigracionin. Sidoqoftë, ftesat për dialog të kreut të ekstremistëve nuk kanë marrë përgjigje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!