PSG e mbylli në barazim 1-1 takimin e mbrëmjes së kaluar përballë Barcelonës dhe u kualifikua në çerekfinalet e Champions League falë fitores 1-4 në “Camp Nou”. Trajneri i nënkampionëve të Evropës, Mauricio Pochettino analizoi sfidën ndaj katalanasve, ku ndër të tjera tha:
“Vuajtëm shumë në pjesën e parë. Ishte një test psikologjik, pasi folëm shumë me njëri-tjetrin rreth përmbysjeve që kanë ndodhur në të kaluarën. Në pjesën e dytë treguam një tjetër fytyrë, ishim më luftarakë.
Në pjesën e parë e mbajtëm mendjen më shumë seç duhet te kualifikimi. I kërkova djemve të luanin futboll dhe të harronin gjithçka tjetër. Sigurisht që nuk isha i kënaqur me atë që po bënin. Rëndësi ka që u kualifikuam.
Duhet t’i heqim qafe mendimet negative. Barcelona rrezikoi shumë, kjo edhe për shkak të humbjes 1-4 në takimin e parë. Navas? Ai i shfaqi edhe njëherë tjetër të gjithë aftësitë e tij, është një portier i nivelit të lartë“, deklaroi Pochettino.
I vetmi shqetësim për trajnerin argjentinas është Alessandro Florenzi. “Xholi” italian sapo ishte kthyer nga një dëmtim, por pësoi një tjetër mbrëmjen e kaluar dhe u largua nga fusha në minutën e 76-të. /abcnews.al