Libri i kuq i malësorëve në “Ballkan”

schedule20:23 - 10 Mars, 2021

schedule 20:23 - 10 Mars, 2021

Nga Linda Karadaku

Malësia në të kaluarën përfshinte pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë veriore që nga Shala deri te Shpella e Berishes në brigjet e lumit Moraça. Përbëhej nga zona të vogla territoriale në të cilat zhvillohej jeta fisnore. Ato ishin: Hoti, Gruda, Kelmëndi, Kuçi, Kastrati, Shkreli, Triepshi, Koja, Kopliku, Tuzi (si pjesë e Grudës).  Copëtimi I tropjeve shqiptare e la jashtë një pjesë të zonës së Malësisë që u bë pjesë e shtetit të Malit të Zi. Malësorët mbrohen nga sulmet malazeze në 1863 dhe në 1880 në betejat e Dinoshës dhe Zharnices ndërsa në vitet 1880-1881 në Vrane, Gruda fiton kundër ushtrisë malazeze duke pasur në krye Smail Martinin, bajraktar i Grudës. Me 1876-1877, Triepshi, Koja dhe Fudnat iu dhanë Malit të Zi nga fuqitë e mëdha dhe kufiri u vendos nga Vrana-Ura e Zharnicës-Omerbozhaj-Vorri i Vuksa Gelës-Lemajë. Me 1887 në Triepsh dhe në 1888 në Kojë hapen shkollat në gjuhë sllave dhe futen mbiemrat e sllavizuar me mbaresen “viç” ose “iç”.

Në shkurt të vitit 1911 themelohet Komiteti Nacional Shqiptar në Podgoricë, në krye të së cilit vëndoset Sokol Baci Ivezaj dhe që drejtohej nga Nikollë Ivanaj, Kole Martini,Kolë Sokol Baci Ivezaj. Pjesë e komitetit ishin Dedë Gjon Luli, Nikolle Soga, Luigj Gurakuqi. Komiteti bashkëpunonte me Pater Gjergj Fishten, At Ndre Mjeden, At Jak Serreqi, Pater Bona Gjecaj, Isa Boletinin, Ismail Qemalin, Dodë Brajcin, Mehmet Shpendin dhe të tjerë. Në mbledhjen e mbajtur në Podgoricë në fillim të shkurtit 1911 vendoset që të fillojë kryengritja kundër otomanëve. Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deciç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911 në të cilat dallohen Tringë Smajli dhe Dedë Gjon Luli. Me 6 prill 1911, në Deçiç, u ngrit flamuri shqiptar për herë të parë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit me 1468. Malësorët kishin kërkesa të qarta që përfshinin amnisti të përgjithshme, vendosjen e shqiptarëve vendas në krye të Tuzit dhe zonave të banuara në male, shërbim ushtarak në vilajetin e Shkodrës dhe kthimin e pasurisë së konfiskuar.

Pas formimit të Komitetit Qendror Shqiptar, përpilohen kërkesat drejtuar qeverisë turke në Cetinë, me 30 mars. “Njohja dhe ruajtja e tërësisë territoriale të tokave shqiptare. Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare si dhe në mësim në katër vilajetet (Shkodër, Kosovë, Janinë dhe Manastir). Të gjithë nëpunësit të jenë shqiptarë dhe kombi shqiptar të pranohet nga ana e Stambollit. Përdorimi i të ardhurave nga viset shqiptare në dobi të këtij kombi.  Ushtarët shqiptarë të merren dhe të dalin jashte kufijve vetëm në rast lufte me qeveritë e huaja.

Ndër kërkesat, apo memorandumet më në zë të malesorëve është “Libri i Kuq” i përpiluar nga Luigj Gurakuqi dhe të tjerë, i shkruar në shqip dhe frëngjisht, që u miratua në Kuvendin e Grecës , me 23 qershor 1911, i drejtohet edhe opinionit europian dhe Eduard Grej, Eduard Grey, ish-ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe, i cili do të deklaronte në vitin 1913 se marrëveshja midis fuqive të mëdha lidhur me kufijtë veriore të Shqipërisë, u arrit pas një përpjekje diplomatike të gjatë dhe të vështirë.

“Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte të kishte dalje në Adriatik dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës”. (Grey, Memoirs, botimet Payot, 1927, faqe 246). Por kërkesat e “Lordëve të Malsisë”, siç i quanin “Tajms” dhe “Çikago Herald Tribune”,  ishin të prera në të 12 pikat e tyre. Ato përfshinin njohjen e plotë të kombit shqiptar me të drejta si çdo komb tjetër, liri të kombit shqiptar për të zgjedhur deputetët e vet; liri të plotë të mësimit në gjuhën shqipe, hapjen e shkollave me te drejta të barabarta me shkollat e tjera nën qeverinë turke, përdorim të gjuhës shqipe  në administratë dhe pranimin e saj si gjuhë zyrtare. Malsorët kërkonin gjithashtu autonomi dhe decentralizim të vilajeteve ku jetonin shqiptarët.

Por Fuqitë e Mëdha po vendosnin tjetër gjë. Në 1913, vendosin t’I japin Malit të Zi Hotin dhe Fudnën dhe Malësia ndahet përsëri në dy pjesë.   Në maj 1913, malësorët organizojnë protesta në Tuz dhe Shkodër, por pa sukses.   Këto troje mbesin pjesë e Malit të Zi. Në fakt problemet midis shqiptarëve dhe malazezëve në këto territore kishin filluar shumë më herët. Pas fitores malazeze të Betejës së Ostrogut në 1853 dhe betejës së Grahovës në 1858, Mbretëria e Malit të Zi u bë një shtet i qëndrueshëm që priste tashmë mundësinë për të vazhduar luftën dhe për të zgjeruar territoret. Dinastia Petroviç-Njegosh dhe krajl Nikolla, pushtoi shumë troje të banuara nga shqiptarët si Kuqi, Vasoviqi, Koloshin, Mojkoc, Zhabjak, Plevlë, Bellopojë. Mbreti Nikolla i Malit të Zi urdhëroi masakra ndaj shqiptarëve të cilat ishin krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Babai i mbretit Nikolla, Vojvoda Mirko ishte personalisht përgjegjës për masakrat e vitit 1858 ku përvec të tjerëve, u vranë edhe 230 fëmijë në djep.

“Shqiptarët e Kuqit u vranë nga Mirko dhe forcat e tij. Ushtarët qëlluan të gjithë ata që mund të gjenin, pavarësisht nga gjinia ose mosha, dhe gjithashtu përdorën bajonetet e tyre. Fëmijët në djep nuk u kursyen, as nuk ishin të hendikepuar, të shurdhër, të moshuar dhe të sëmurë. Krerët e tyre u prenë dhe u fshehën, kështu që të tjerët nuk do t’i gjejnë kurrë” Marko Miljanov.

Babai i mbretit Nikolla Petroviç, i quajtur Vojvoda Peter Vukotiç, ishte gjithashtu një antishqiptar që luftoi kundër shqiptarëve në vitet 1850 dhe kërkonte të pushtonte Prizrenin për ta bërë kryeqytetin e Malit të Zi. Mbretëria e Malit të Zi u përpoq gjithashtu të pushtonte Shkodrën por dështoi. Në vend të kësaj, ata arritën të marrin Plavën dhe Gucinë dhe shumë rajone përreth, duke zgjeruar mbretërinë, por duke rrudhur shtetin shqiptar i cili ishte shpallur në vitin 1912. Rritja e armiqësive vazhdoi edhe më tej ndërkohë që forcat malazeze kryenin masakra kundër civilëve shqiptarë në rajonet e pushtuara. Në 1918 forcat serbo-malazeze vranë shumë shqiptarë në Ferizaj, Prizren, Pejë. Luftërat ballkanike, lufta e parë botërore dhe më pas masakra e Tivarit pas luftës së dytë botërore, ishin vazhdimësi e një politike shfarosëse.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944, Tito shfrytëzoi rrethanat për të luftuar kundër forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe për të ripushtuar Koovën. Udhëheqja jugosllave, urdhëroi në fillim të janarit 1945 mobilizimin e të ashtuquajturave “brigada të Kosmetit” për “nevojën e forcave të armatosura jugosllave”. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, i ashtuquajturi ”Shtab Operativ i Kosmetit” urdhëroi Shaban Polluzhën që të linte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për në Serbi.

Rekrutë shqiptarë nga Kosova u mobilizuan nga partizanët jugosllavë për të luftuar në frontet e Sremit të Vojvodinës dhe atë të Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë, kundër forcave gjermane. Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficerë shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën dhe u nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen. Kur kolona mbërriti në Tivar, e gjeti veten në pritë dhe në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve të vendosur në çdo qoshe rrugësh, në dritare, tarraca të shtëpive, në shkëmbinj dhe kodrat përrethFilluan të shtënat nga nga njësitë partizane, divizioni i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze. Varreza masive e masakrës në Tivar u zbuluan pas më shumë se një gjysmë shekulli, më 17 shtator 1996, nga historiani Zekeria Cana.

Por nuk do të mbaronte këtu. Një ngjarje e rëndë ndodhi vetëm para pak vitesh në Malësi. Me 9 shtator 2006, u arrestuan 18 shqiptarë që u akuzuan nga pushteti malazez për terrorizëm. Ata u rrahën dhe u torturuan në operacionin policor të quajtur “Fluturimi i shqiponjes”. Mali i Zi e humbi betejën gjygjësore për këtë cështje në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku ishte paditur pikërisht për këto tortura. Gjatë aksionit policor “Fluturimi i Shqiponjës”, gjatë bastisjes së shtëpisë së familjes Sinishtaj, pesë anëtarë të Njësisë Speciale anti-terroriste u akuzuan për shpërdorim kompetencash duke vepruar kundër Pjeter Sinishtaj dhe dy djemve të tij. Të gjithë shqiptarët e akuzuar nga pushteti malazez për terrorizëm, të cilët ishin arrestuar në aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”, në vitin 2006, u shpallen fajtorë dhe u dënua me burgim nga dy vite e gjysëm deri në gjashtë vite  e gjysëm, në total me 51 vjet burg.

Ngjarjet e fundit në Tuz, rikthyen kujtime të trishta të mënyrës së veprimit të pushtetit në Mal të Zi. Tre persona u arrestuan në fund të shkurtit pas kontrollit në tre hotele në Tuz, të akuzuar mosrespektim të rregullave shëndetësore në luften kunder Covid19. Prokurori i shtetit në Podgoricë Vukash Radonjiç urdhëroi padi penale kundër kryetarit  të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, duke e akuzuar se ka bërë thirrje për rezistencë. E njëjta padi penale është edhe kundër kreut të Policisë Komunale të Tuzit, Rexhep Çunmulaj  si dhe një oficeri të policisë komunale, duke I akuzuar se kanë ndihmuar në thirrje për rezistencë. Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha pas bisedes me zëvëndëskryeministrin Dritan Abazoviç dhe ministren e shëndetësisë Jelena Boroviniç Bojoviç, se kanë rënë dakord që instituti I shëndetit public të shqyrtojë korigjimin e masave.

“Komuna e Tuzit dhe qytetarët e saj, janë shembull se si janë respektuar masat gjatë 11 muajve të kaluar dhe natyrisht se do të japin kontributin e vet që edhe më tej të përmiresohet situata epidemiologjike në shtet. Në Tuz, gjatë tre muajve të fundit kemi situatë të qendrueshme epidemiologjike falë respektimit të masave nga ana e qytetarëve tanë” tha Nik Gjeloshaj.

Tuzi u bë më në fund komunë më vete në prill të vitit 2017. Parlamenti i Malit të Zi e shpalli komunë me të drejta të plota në një votim historik për shqiptarët në këtë vend. Ishte një e drejtë që shqiptarët e Tuzit e kërkonin prej 27 vitesh dhe që u ishte mohuar. Në votim morën pjesë 42 deputetë, nga 81 që ka Parlamenti. Dhe pikërisht këto 42 vota pro ishin ato që ia dhanë këtë status Tuzit. Në votim nuk mori pjesë opozita serbe dhe koalicioni “Çelsi”, një formacion me disa parti malazeze. Deputeti shqiptar në parlamentin malazez në atë kohë, Nik Gjeloshaj, pati theksuar se ajo që nuk pritej ishte mosmarrja pjesë në votim e deputetit shqiptar, Dritan Abazoviç, që ishte pjesë e koalicionit “Çelsi”. Projektligji për Tuzin Komunë ishte votuar nga partia e Milo Gjukanoviçit, që kishte shumicën në Parlament dhe koalicioni i partive shqiptare “Forca” dhe “Alternativa Shqiptare”, dhe “UDSH”. Tuzi varej më parë nga Bashkia e Podgoricës, ndërsa tani, pas Ulqinit, është komuna e dytë me shumicë shqiptare në territorin e Malit të Zi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!