Dibra është një tjetër qark që këtë të mërkurë është përfshirë nga reshjet e borës. Burime për abcnews.al bëjnë me dije se reshjet e borës janë me intensitet të lartë por deri më tani nuk ka asnjë problem sa i përket qarkullimit të automjeteve.
Ndër të tjera mësohet se në zona të thella reshjet e borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe për pasojë trashësia kalon 25 cm. Ndërkohë rruga nacionale Peshkopi-Tiranë po monitorohet nga firma kontraktore e cila ka në dispozicion 6 mjete borëpastruese dhe 3 fadroma në gatishmëri.
Rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe me Librazhdin kalohen me zinxhirë për shkak të trashësisë së borës. Autoritetet kërkojnë nga firmat kontraktore të monitorojnë situatën dhe të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në kohë që të mos kemi bllokime./abcnews.al