Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me vizitën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, kreu i shtetit u shpreh se mirëkupton plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë dhe se kjo tregonte se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.
Por, Thaçi konsideron se protestat dhe bllokimi i rrugëve nuk e ndihmon aspak Kosovën. Sipas tij vizita në Drenicë e homologut serb ishte miratuar ditë më parë nga qeveria e Kosovës por, për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, Qeveria e Kosovës vendosi për anulimin e vizitës së tij në fshatin Banjë.
Thaçi u shpreh se kuptonte edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banjë, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite.
“Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit përfundoi ai./abcnews.al