Shumë drejtues mjetesh që transportojnë mallra drejt Kosovës e kalojnë natën në kabinat e kamioneve. Procedurat në pikën kufitare të Morinës nisin në orën 8 të mëngjesit dhe kjo për drejtuesit konsiderohet si e padrejtë në një kohë që flitet për bashkëpunim mes dy vendeve dhe lehtësim të punës.
Pamjet të tilla ofron çdo mëngjes pika kufitare e Morinës. Radhë të gjata automjetesh që transportojnë mallra drejt Kosovës. Drejtuesit e kalojnë natën në doganë. Disa prej tyre flenë në timon.
Drejtuesi 1: “Përgjumësh jam s’kemi ç’të bëjmë se kemi vozit gjatë natës dhe e kemi kaluar këtu.”
Drejtuesi 2: “Presim çdo ditë.”
Drejtuesi 3: “Po pres letrat.”
Presin me orë të tëra për të nisur dorëzimin e dokumenteve dhe kontrollet në orën 8 të mëngjesit.
Drejtuesi 4: “Është ndalesë, deri në orën 8 nuk lejohet të hysh. Nuk është normale.”
Ata thonë se sa më shumë flitet për lehtësim të procedurave aq më shumë shtrëngohen.
Drejtuesi 1: “Çdo vit janë duke e shtrënguar doganën secilën ditë.”
Drejtuesi 5: “Shumë gjëra po thonë, por shumë gjëra s’po zbatohen.”
Ndërkohë, në krahun tjetër të doganës qytetarët e Kosovës nuk reshtin së udhëtuari drejt Shqipërisë. Burimet e policisë kufitare, e cila po punon me 10 sportele, bëjnë me dije se fluksi i lartë është pothuajse gjatë gjithë kohës pa ndërprerje edhe pse pushimet përfunduan dhe ka nisur procesi mësimor në Kosovë./abcnews.al