Drejtësia amerikane dënoi me burg ish këshilltarin e fushatës së Donald Trump lidhur me çështjen “Russiagate”. Papadopulos u shpall fajtor pasi mashtroi në dëshminë e tij për FBI.
Ish këshilltari i Trump, deklaratat e të cilit në një lokal në Londër shkaktuan hetimin e SHBA-së për një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë, është dënuar me 14 ditë burgim. George Papadopoulos, 31 vjeç i tha gjykatës në Uashington se ai ishte një “amerikan patriot” i cili bëri një gabim duke gënjyer. Ai u deklarua fajtor tetorin e shkuar pasi ka gënjyer në dëshminë për FBI për kohën e takimeve me ndërmjetës të dyshuar për Moskën. Ai ishte ish ndihmësi i parë i Donald Trump, i arrestuar në hetimin e një komploti të supozuar të Kremlinit për të ndikuar në votimin e zgjedhjeve në SHBA në 2016. Presidenti amerikan Trump reagoi duke ngritur polemika lidhur me koston e hetimit ndaj ndihmësit të mëparshëm.
Në vendimin e drejtësisë, Papadopulos iu caktua gjithashtu 12 muaj lirim të mbikëqyrur, 200 orë shërbim në komunitet dhe një gjobë prej 9,500 dollarësh. Ai tha në gjykatë se “jeta e tij është përmbysur” dhe ai shpresonte “për një shans të dytë për të marrë veten”. Papadopulos përfundoi duke thënë se “ky hetim ka implikime globale, dhe e vërteta ka shumë rëndësi”.
31-vjeçari ishte analist karburanti në një kompani me bazë në Londër para se të bashkohej me fushatën Trump në mars të vitit 2016, si këshilltar vullnetar i politikës së jashtme. Papadopulos shpejt kontaktoi me një akademik misterioz maltez, Joseph Mifsud. Profesori i tha Papadopulos se rusët kishin “material kompromentuese” për rivalen presidenciale Demokrate Hillary Clinton në formën e “mijëra e-maileve”. Në muajt e ardhshëm, mijëra e-mail të lidhura me fushatën Clinton u botuan nga Wikileaks./abcnews.al